Open Data Albania po hulumton mbi kufirin minimal të regjistrimit për pagesë të tatimit mbi vlerën e shtuar TVSH në Republikën e Shqipërisë, vendet e rajonit dhe vende të Bashkimit Europian. Në ligjin për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, përkatësisht në nenin 117 parashikohet se Personat e tatueshëm rezidentë në Shqipëri, qarkullimi vjetor i të cilëve është nën kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, janë objekt i regjimit për bizneset e vogla, duke përfituar një përjashtim nga detyrimi për të llogaritur TVSH-në në shitje për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera prej tyre. Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe aktualisht është i përcaktuar me vlerën pesë milion Lekë.

Legjislacioni i vendeve të rajonit, si Mal i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia njeh po ashtu një kufi minimal regjistrimi për TVSH-në bazuar ne qarkullimin vjetor. Kufirin minimal më të lartë e ka Serbia, me 8 milion RSD ose po të konvertohen në euro rreth gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dymbëdhjetë euro. Pas Serbisë renditet vendi ynë (vlera aktuale 2017). Kufirin më të ulët në vendet e rajonit e mban Maqedonia me vetëm 1 milion MKD ose gjashtëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë Euro. Vlen të përmendet që ky kufi është ndryshuar vitet e fundit duke u ulur nga dy milion MKD në një milion MKD.


Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Edhe në vendet e Europës legjislacioni njeh një kufi minimal regjistrimi për Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Kufirin minimal më të lartë të regjistrimit për TVSH e mban Mbretëria e Bashkuar, me një kufi minimal prej tetëdhjetë e tre mijë Paund ose konvertuar nëntëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e tridhjetë euro. Pas saj renditen vende si Rumania, Sllovenia, Sllovakia, Polonia, Lituania, Letonia të cilat kanë një kufi minimal pranë vlerës pesëdhjetë mijë euro. Kufirin minimal më të ulët e mban Suedia me tridhjetë mijë SEK ose tre mijë e njëqind e njëzet e tre euro. Holanda dhe Spanja nuk aplikojnë një kufi minimal për regjistrimin për Tatim mbi Vlerën e Shtuar


Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat janë sipas tabelave të publikuara në faqen e Komisionit Europian (Tax and Customs Union) përditësuar në prill 2017 datë që përkon me përditësim të vitit tatimor. Ne vendet evropiane vihet re një tendencë që kërkon rritjen e kufirit minimal, sikurse është rasti i Suedisë ku kufiri ishte zero dhe u vendos më një vlerë relativisht të ulët apo rasti i Maltës që po kërkon rritjen e kufirit aktual. Nga ana tjetër tendenca e vendeve të rajonit është në uljen e kufirit minimal, si rasti i Maqedonisë apo i vendit tonë për të cilin është paralajmëruar heqje përfundimtare e këtij kufiri.

Shkarko excel: Analizë krahasimore mbi kufirin minimal të regjistrimit si subjekt për Tatim mbi Vlerën e Shtuar TVSH, Rajoni dhe EU
Kontribuoi : MBA, MSc. Ina Baja