Raporti/ Të dhënat e vitit 2014 nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit

2513 pika të lojërave të fatit funksionojnë në vend sipas Open Data Albania, e cila ka kryer një hulumtim lidhur me subjektet financiare që janë licencuar nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Kompania me Kapitalin Fillestar më të madh është Lotaria Kombëtare me përkatësisht 1,201,950 000 lekë të investuara në fillim. Kjo kompani ka formën ligjore të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, ndryshe nga kompanitë e tjera të licencuara nga NjMLF që janë shoqëri aksionere (anonime). Subjekti me kapital themeltar më të vogël është Nacional Bingo me përkatësisht 2 000 000 lekë të investuara në fillim. Ky subjekt ka vetëm një seli qendrore dhe katër aksione.

Ndër aksionerët e kompanive të lojërave të fatit janë edhe dy femra. Në tërësi kapitali themeltar i shoqërive të licencuara për lojëra fati është 2,91 miliardë lekë. Të dhënat në hulumtim janë marrë në databazën e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NjMLF) dhe në atë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Këto subjekte ndahen në gjashtë kategori, përkatësisht në Lotari Kombëtare, Bingo Televizive, Kazino, Kazino Elektronike, Baste Sportive dhe Bingo Tradicionale. Kategoria me numrin më të madh të subjekteve është ajo e Kazinove Elektronike me përkatësisht 10 subjekte. Bastet Sportive, nga ana tjetër, shënojnë 6 subjekte, por që kanë një shtrirje më të gjerë në të gjithë vendin për shkak të numrit të madh të selive. Top Bast, një nga kompanitë e basteve sportive me vetëm njëzet e dy milion lekë kapital fillestar ka 1,117 seli në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.