Kapitali themeltar për të gjitha bankat në vendin tonë vlerësohet në fillim të muajit maj të këtij viti në 1.01 miliard USD apo 737 milionë euro. Hulumtimin e bëri “Open Data Albania”. Kapitali themeltar i investuar në nisje të aktivitetit të të gjitha bankave aktive në Republikën e Shqipërisë ishte vetëm 12 miliardë lekë. Shtimi i kapitalit nga ana e bankave është veprim që u mundëson atyre të jenë të mirëpozicionuar për të përballuar goditjet e jashtme të çfarëdolloj natyre qofshin ato, ekonomike, gjeopolitike apo financiare dhe për rrjedhojë rrit besueshmërinë e depozituesve.

Të dhënat janë përditësuar sipas procedurës së administrimit dhe publikimit të të dhënave të shoqërive tregtare në sistemin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit QKR. Bankat e Nivelit të Dytë janë banka tregtare që pranojnë depozita monetare ose fonde të tjera të ripagueshme nga publiku dhe i përdorin ato për dhënie kredie dhe emetim të mjeteve të pagesës në formën e parasë elektronike. Degë të bankave të huaja janë ato banka të huaja që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet një dege të tyre. Në Shqipëri funksionojnë gjashtëmbëdhjetë banka apo degë të bankave të huaja të nivelit të dytë.