Open Data Albania ka marrë në shqyrtim lejet mjedisore të miratuara nga Ministria e Mjedisit për kryerjen e aktiviteteve që lidhen me shfrytëzimin e gëlqeres, gipsit, gurëve, argjilës, inerteve malore dhe lumore, rërës, zhavorrit, betonit, çimentos, etj. 48 leje janë dhënë për këtë kategori në vitin 2012, shifër e cila thuajse është 2-fishuar në vitin 2013 për të arritur në 94 leje të miratuara në gjithë vendin.

Burimi: Ministria e Mjedisit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vitin 2013, grupi më i rëndësishëm që mbizotëron lejet e miratuara i përket aktivitetit të gurit gëlqeror me 23 leje, plot 8 herë më shumë se në 2012-n. Mbizotërojnë lejet e dhëna në zonën e Beratit (6 leje), Krujës (4 leje), Elbasanit (4 leje), Tiranës (3 leje), ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë në Lezhë, Gjirokastër, Pogradec dhe Durrës.


Burimi: Ministria e Mjedisit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Grupi i dytë me më shumë leje i përket shfrytëzimit të gurit dhe prodhimit të mermerit. Nga 13 në leje në 2012-n, 4 më shumë u miratuan në 2013-n, kryesisht në shfrytëzim guri (10 leje) dhe karrierë guri (8 leje). Lejet e dhëna i përkasin më shumë zonës së Beratit (5 leje), Tiranës (4 leje) e më pas Vlorës (2 leje) e Lezhës (2 leje).

Lejet për prodhim betoni dhe shfrytëzim inertesh zënë gjithashtu një pjesë të madhe. Janë 21 leje në 2013-n për inerte lumenjsh, malesh dhe nyje betoni, si dhe 18 leje të tjera për prodhim betoni dhe asfalt-betoni. Të dyja kategoritë janë rritur ndjeshëm krahasuar me 2012-n, përkatësisht 1.6 herë dhe 3 herë më shumë. Gjatë 2013-s, në lejet për prodhim betoni apo asfalto-beton mbizotëron zona e Fierit dhe Tiranës, ndërsa në fraksionimin e inerteve mbizotorojnë Shkodra dhe Lezha. Në këtë vit janë miratuar edhe 2 leje për fraksionimin e inerteve lumore: në Novoselë të Vlorës dhe Lezhë dhe po kaq ishin edhe në 2012-n për: Shënkollin, Lezhë dhe Bajzë të Shkodrës.

Në 2013 spikasin edhe 8 leje të miratuara për karrierë dhe shfrytëzim të argjilës rreth zonës së Krujës (2 leje) dhe Elbasanit (2 leje), si dhe Durrësit, Korçës e Shkodrës.

Tabela në vijim paraqet lejet e miratuara për këtë kategori në periudhën janar 2012-prill 2014 sipas llojit të aktivitetit, firmës që e ushtron dhe vendit përkatës.



Burimi: Ministria e Mjedisit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Blerta Zija