Shqipëria dhe Kosova, por edhe shtete të tjera të Ballkanit janë prekur nga fenomeni i tkurrjes së popullsisë. Jo vetëm emigracioni është tregues i kësaj, por edhe rënia e lindshmërisë. Sipas një studimi të Open Data Albania, rënia e lindjeve ndikohet edhe nga politikat e mbështetjes sociale që ofron secili shtet për nënat më fëmijë.

Aranita Brahaj, drejtoreshë ekzekutive e Open Data Albania, thotë se në këtë drejtim gratë shqiptare kanë shumë pak përfitime. Për më tepër, punëdhënësit i “diskriminojnë” gratë me fëmijë, duke mos preferuar t’i punësojnë, meqë mendojnë se kostoja është e lartë, bie rendimenti i punës, ndaj biznesi nuk ka përfitime.

“Shqipëria dhe Kosova janë në një nivel pak më negativ se vendet tjera, si Maqedonia, Mali i Zi apo Kroacia, të cilat gjatë periudhës së leje-lindjes, gruan e paguajnë në sasinë 100 për qind të pagës që ka patur në momentin që ka marrë këtë leje, ndërkohë që Serbia është ajo që e paguan me 106 për qind të pagës. Në rastin e Shqipërisë kjo masë është në vlerën 65 për qind, ndërsa Kosova e ka më të ulët – 63 për qind. Në rastin e Kosovës kjo pagesë ndahet mes punëdhënësit dhe shtetit, ku më shumë paguan punëdhënësi”, thotë ajo.

Sipas saj, Kosova në këtë drejtim është unike, pasi këtë lloj skeme e aplikojnë vetëm vende të fuqishme, si Gjermania dhe Britania e Madhe.

“Ky parashikim ligjor krijon defekte, për shkak se punëdhënës të cilët nuk janë ende shumë të konsoliduar, nuk mund të përballojnë kosto të larta të mbajtjes në punë të një individi (nënë me fëmijë) dhe do të preferojnë të punësojnë gra që nuk marrin leje lindje, vajza të reja që nuk janë të martuara, apo persona të gjinisë tjetër – meshkuj”, shton Brahaj.

Sipas Open Data Albania, mbrojtja ligjore që është dhënë nga Kodi i Punës i Kosovës, është jocilësor pasi nuk jep siguri në punë për gratë, të cilat detyrohen të lindin më pak fëmijë, gjë që ndikon më tej në uljen e numrit të popullsisë.

“Shtete të vogla të Ballkanit, qoftë Shqipëria, Kosova, Bosnja apo Mali i Zi, janë vende që vitet e fundit kanë filluar të preken nga ajo që quhet tkurrje e popullsisë apo pakësimi i numrit të lindjeve. Duhet pasur parasysh se ne jemi të prekur nga emigracioni. Te rasti i Shqipërisë ne kemi pasur një tkurrje me rreth 30 për qind të popullsisë. Pretendohej që popullsia e Shqipërisë kishte shkuar rreth katër milionë banorë, ndërkohë që regjistrimi i fundit tregoi që ne ishim më pak se tre milionë: 2.8 milionë. Të njëjtën gjë shohim pas 2009-ës edhe në Republikën e Kosovës (1.74 milionë). Duket sikur numri i fëmijëve për çdo nënë në moshë riprodhuese është ulur dhe nuk është më numri i dikurshëm, çka në njëfarë mënyre – bashkë me emigracionin – do të japë efekte negative në demografi në të ardhmen”.

Referuar studimeve të ndryshme demografike, nëse më parë çiftet e reja lindnin më shumë se dy fëmijë, sot preferojnë të kenë vetëm një fëmijë apo maksimumi dy fëmijë.

Pikërisht kushtet ekonomike dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë arsye, sipas sociologëve, që kanë ndikuar në uljen e lindshmërisë dhe tkurrjen e numrit të popullsisë.

Open Data Albania kërkon që Qeveria në këtë drejtim duhet të ndjek politika favorizuese dhe jo diskriminuese për gratë, siç është për shembull rasti i Serbisë.