Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me Investimet e Huaja Direkte sipas sektorëve të ekonomisë për vitet 2007-2013.

Investimet e huaja direkte janë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të ekonomisë. Sipas këtij hulumtimi, në Kosovë, investitorët e huaj synojnë pasuri të patundshme. E po ashtu sipas këtij hulumtimi, investimet në transport dhe telekomunikacion kanë pësuar ulje.

Pjesën më të madhe të IHD-ve në Kosovë në vitin 2013, sipas këtij hulumtimi, e përbënin sektori i patundshmërisë (35%), i ndjekur nga ndërtimi (15%), transporti dhe telekomunikacioni (14%),shërbime financiare (11%), energjetika (8%), prodhimi (7%) etj. E po ashtu sipas këtij hulumtimi, situata në Kosovë ka ndryshuar ndër vite.

“Në vitin 2007 peshën kryesore e zinin IHD-të në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit. Gjatë këtij viti janë investuar 129.24 milionë euro në këtë sektor, nga 440.74 milionë euro Investime të Huaja Direkte gjithsej. Sektorë të tjerë të rëndësishëm gjatë këtij viti kanë qenë dhe shërbimet financiare, me mbi 100 milionë lekë të investuara”, thuhet në njoftimin e Open Data Albania.

Por në vitet 2008 dhe 2009 situata ndryshon në favor të sektorit të shërbimeve financiare të cilat, sipas hulumtimit përbënin përkatësisht 35% dhe25% të investimeve të huaja direkte në total. Ndërsa në vitet 2010 dhe 2011 merr përparësi sektori i ndërtimit. Në këtë fushë, sipas hulumtimit janë investuar përkatësisht 91.06 dhe 134.97 milionë euro.

Ndërsa një gjendje tjetër është në dy vitet e fundit.

“Në dy vitet e fundit kryeson sektori i patundshmërisë. Gjatë vitit 2012 vlera e Investimeve të Huaja Direkte për këtë sektor shënon një vlerë prej 72.57 milionë euro ose 32% të totalit të IHD-ve në këtë vit”, thuhet në njoftimin e ODA.

Në njoftim thuhet se “Investimet e huaja direkte, janë një tregues i rëndësishëm i besimit të investitorëve të huaj në një vend. Ato ulen në kushtet e krizave ekonomike dhe politike dhe rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik dhe politik”.

Sipas hulumtimit, në harkun kohorë 2007 – 2013 Investimet e Huaja Direkte në Kosovë kanë shënuar tkurrje.

“Krahasuar me vitet e mëparshme, në vitin 2013 pesha e IHD-ve në sektorët e industrisë përpunuese dhe shërbimeve sanitare është ulur ndjeshëm, ndërsa pesha e sektorëve të energjetikës dhe ndërtimit është rritur”, thuhet në fund të këtij njoftimi.