Vetëm dy nga nëntë bankat komerciale sa funksionojnë në Kosovë, kanë kapital vendor ndërsa shtatë të tjerat janë filiale të bankave ndërkombëtare. Kjo, sipas një hulumtim të Open Data Albania (ODA), tregon se sistemi bankar në Kosovë, edhe 15 vjet pas luftës, nuk ka arrit të konsolidohet.

Vetëm Banka Ekonomike e Kosovës ka 100 për qind kapitalin vendës, ndërsa Banka për Biznesit ka 43 për qind, të tjerat janë degë bankash të huaja. Këtë vlerësim e ka dhënë ODA, në një hulumtim lidhur me numrin e subjekteve financiare, që janë licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës në vitet 2010-2013.

“Subjektet financiare që licencohen nga kjo bankë janë bankat komerciale, fondet pensionale, kompanitë e sigurimeve, institucionet mikrofinanciare, institucionet financiare jo banka, zyrat për transferimin e parave, ndërmjetësuesit në sigurime dhe zyrat e këmbimit valutor”, thuhet në njoftimi.

Në Kosovë funksionojnë 9 banka apo degë bankare. Ato janë “ProCredit Bank”, “Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C.”, “NLB Prishtina”, “Banka për Biznes”, “Banka Ekonomike”, “TEB”, “Banka Kombëtare Tregtare”, “Komercijalna Banka” dhe “Turkiye Is bankasi”.

Tregu bankar kosovar në analizën e ODA, karakterizohet nga veprimtari e degëve të bankave të huaja duke mos shfaqur tipare të një tregu bankar në një shtet të konsoliduar vetëqeverisës.

“Banka Qendrore është treguar konservatore në mundësinë e licencimit për banka të mirëfillta vendase, qofshin këto edhe me kapitale të huaja. Bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës janë banka që kryesisht kanë licencë të mirëfilltë aktiviteti në vende të tjera të Ballkanit”, thuhet në analizën e ODA-s.

Sipas artikullit hulumtues, në vitin 2013 subjekte të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës si zyra të këmbimit të valutave janë 33, 14 subjekte janë institucione mikrofinanciare, dhe 13 janë kompani sigurimi.

Gjatë këtij viti BQK ka aprovuar 96 kërkesa për hapje të degëve të reja të bankave, të kompanive të sigurimit, si dhe institucioneve të tjera financiare. Ndryshe, sistemi bankar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm pavarësisht luhatjeve nga kriza botërore financiare, ndërsa normat e interesit në kredi vazhdojnë të mbeten më të lartat në rajon. Derisa në Shqipëria interesi në kredi është 7 për qind, në Kosovë interesi kreditor është 100 për qind më e lartë, 14 për qind.