Open Data Albania po hulumton lidhur me Organizatat Jofitimprurëse dhe Ndërkombëtare që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë 2005-2013. Organizata Jofitimprurëse OJF, sipas Ligjit Nr.8788, Datë 7.5.2001 është një person juridik shoqatë, fondacion apo qendër, që nuk ka për qëllim sigurimin e fitimit dhe vepron si e pavarur nga shteti apo ndikimet politike të partive dhe angazhohet kryesisht në aktivitete që kontribuojnë në të mirën publike. Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Regjistri Kombëtar i Ndërmarrjeve, pjesa ku përpunohen të dhëna për subjekte të regjistruara dhe që deklarojnë veprime sipas numrit fiskal NIPT.

Organizatat jofitimprurëse fitojnë personalitetin juridik pasi të jenë themeluar dhe regjistruar në gjykatë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara me ligj. Gjykata e Rrethit Tiranë ka detyrim ligjor të mbajë një Regjistër Kombëtar për këtë kategori subjektesh. Deri sot ky institucion nuk ka aplikuar database apo statistikë me tregues publik për organizata të themeluara dhe regjistruara. Në këtë artikull të ODA janë tregues vetëm për atë pjesë të organizatave që pas themelimit kanë ushtruar edhe aktivitet me detyrim për deklarime tatimore. Konkretisht organizata me NIPT aktiv. Numri mund të jetë më i lartë me të tjera organizata që veprojnë si bashkime vullnetare, kanë akt themelimi të regjistruar në gjykatë, por nuk kanë bërë deklarim pranë Autoriteteve Tatimore.

Në vitin 2013, 8% e totalit të subjekteve që operojnë në Republikën e Shqipërisë janë organizata jofitimprurëse lokale dhe ndërkombëtare. Numri i këtyre organizatave ka ardhur duke u rritur që prej vitit 2005, nga shtatëqind e nëntëdhjetë e katër ojf aktive në këtë vit, në dy mijë e njëqind e dhjetë në vitin 2013. Në këto nëntë vite numri i organizatave jofitimprurëse aktive është rritur me 266%. Megjithëse përbëjnë 8% të totalit të NIPT-eve të regjistruara, për këto subjekte të krijuara me bazë ligjore të veçantë, autoritetet tatimore nuk kanë akte nënligjore dhe praktika pune që rregullojnë në mënyrë specifike aktivitetin e tyre për deklarime fiskale më të qarta dhe korrekte.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Mesatarja vjetore e organizatave të reja që regjistrohen është njëqind e shtatëdhjetë e dy. Në harkun kohor 2006-2013 viti me numrin më të lartë të organizatave të themeluara është 2013-ta me përkatësisht 254 organizata të reja jofitimprurëse. Megjithëse vitet 2006-2007 kanë pasur një numër ndjeshëm më të ulët të krijimit të ojf-ve, ky numër nuk ka rënë asnjëherë nën njëqind organizata  të krijuara çdo vit. Interesant është edhe vlera më e spikatur e organizatave që themelohen në vite elektorale si 2009; 2011 dhe 2013-ta.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Lidershipi femëror në drejtimin e organizatave joqeveritare shënon rritje por pa arritur ende në raportin 30%. Në dy vitet e fundit, 2012 dhe 2013, kanë drejtuar ojf-të aktive përkatësisht pesëqind e dyzet e katër dhe gjashtëqind e njëzet e pesë drejtuese femra.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Njëkohësisht organizatat jofitimprurëse lokalë apo ndërkombëtare të regjistruara në Shqipëri janë subjekte të kontrollit nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave sikurse subjekte për kontroll me qëllim parandalimin e financimit dhe mbështetjes së veprimtarisë terroriste. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave janë raportuar dy raste sinjalizimi dhe kontrolli të aktivitetit të dyshimtë financiar në vitin 2011 dhe pesë raste në vitin 2012.

Kontribuoi: Griselda Rruci