Sapo botuam një deklaratë të deputetit Koço Kokëdhima, i cili ka akuzuar gazetën Tema përse kjo e fundit ka botuar datat kur Thesari i Shtetit ka paguar kompaninë e Koço Kokëdhimës.
Si rëndom, Koço Kokëdhima mashtron duke na keqcituar.
Ne nuk kemi thënë “se Abissnet ka lidhur kontratë në 3 janar të vitit 2014 me Bashkinë e Elbasanit dhe në 1 mars 2014 me doganën Qafthanë”, siç shkruan Koço Kokëdhima, por kemi publikuar datat kur Thesari i Shtetit ka paguar kompaninë e Koço Kokëdhimës më 28 janar të 2014 dhe atë të Doganës së Qafëthanës më 23 janar të 2014.
E dimë që këto kontrata dhe dhjetëra të tjera, Kokëdhimës ia ka dhënë qeveria “Berisha”, për shkak të paburrërisë që tregoi pas zgjedhjeve të vitit 2011, për t’iu kundërvënë Edi Ramës dhe për t’iu lëpirë Sali Berishës siç mund ta shikoni dhe në gazetën e tij.
Nuk kemi pikë dyshimi në raportet e tij me Sali Berishën për atë periudhë, pasi janë të dokumentuara në disa raste dhe me zë e figurë duke ju lëpirë në pritjet e tij .
Gazeta TemA ka përmendur rastin e deputetit Ilir Beqja, të cilit iu hoq mandati, pasi pranoi pagesën nga një tender, kur kishte marrë ndërkohë mandatin e deputetit.
Nuk është se jemi dakord me këtë gjë, por kështu ka vepruar Gjykata Kushtetuese.
Rasti është identik, pavarësisht se zotin Kokëdhima mund ta mbrojë partia tani që ka shumicë votash.
Përtej këtij problemi ligjoro- politik, për të cilin nuk jemi shumë të interesuar si do zgjidhet, zoti Kokëdhima nuk na hedh dot hi syve për aftësinë e tij që një javë pasi ka “shitur” aksionet, ka lidhur dhjetëra kontrata me qeverinë.
Është e qartë se ai është tashmë një i favorizuar i pushtetit të ri dhe jo një lufëtëtar i pushtetit të vjetër.
E vetmja gjë që e lidh atë me pushtetin e vjetër, është fakti që i është bërë peshqesh kësaj shumice, për ta diskredituar.
Është dhe e vetmja mënyrë t’i kthejë borxhin Berishës për tenderat që i dha qysh kur iu bë urë dhe pranoi të bëhej luftar kundër opozitës pas majit të vitit 2011.
Me këtë rast duam t’i kujtojmë zotit Kokëdhima se nuk kemi asnjë problem personal me të dhe as ndonjë zili për pazaret e tj me gjithë qeveritë në këtë vend.
Në rastin konkret, ai ka një problem me një vendim të Gjykatës Kushteuese dhe duhet të sqarojë gjykatën jo ne.
Ne e dimë kush është, s’kemi asnjë dilemë!