Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit bëri të ditur sot se kompania “Abissnet”, mbulon me shërbimet e saj vetëm 1 për qind të institucioneve shtetërore. Në cilësinë e administratorit të të dhënave të hapura për shpenzimet qeveritare, kjo agjenci bën me dije se të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare evidentojnë se kompania “Abissnet” mbulon rreth 12% të tregut të shërbimit me internet në Republikën e Shqipërisë, por vetëm 1% në shërbimin ndaj institucioneve shtetërore.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, deklaron nëpërmjet një njoftimi për shtyp se prezenca e kompanisë “Abissnet” për institucionet qendrore dhe lokale për vitin 2014 nuk ka asnjë rritje krahasuar me periudhën kohore 2012-2013, duke qëndruar në vlerën 1%.
Deklarata e plotë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në cilësinë e administratorit të të dhënave të hapura për shpenzimet qeveritare, referuar interesimit të disa mediave, bën me dije se:
1) Kompania Abissnet ka një prezencë të ofrimit të shërbimeve të saj në institucionet shtetërore vetëm 1%, krahasuar me kompanitë e tjera në këtë fushë. Janë 46 institucione shtetërore që kanë lidhur kontrata shërbimi me këtë kompani. Mbi 50% e këtyre kontratave, 27 të tilla, janë lidhur para muajit shtator 2013.
2) 176 është numri i transaksioneve që kjo kompani ka kryer me institutionet shtetërore (pagesa të përmuajshme sipas kontratës), por jo numri i kontratave që kjo kompani ka me këto institucione.
3) Vlera mesatare për transaksion e kompanisë Abissnet është 1% në krahasim me kompani të tjera që ofrojnë shërbime të tilla për institucionet qendrore dhe lokale të vendit.
4) Sa i takon prezencës së ofrimit të shërbimeve në institucionet qendrore dhe lokale nga kompania Abissnet në raport me kompanitë e kryesore që ofrojnë të njëjtin shërbim, kjo kompani renditet e 5 nga 6 të tilla, pra e parafundit.
5) Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare evidentojnë se kompania Abissnet mbulon rreth 12% të tregut të shërbimit me internet në Republikën e Shqipërisë, por vetëm 1% në shërbimin ndaj institucioneve shtetërore.
6) Prezenca e kompanisë Abissnet për institucionet qendrore dhe lokale për vitin 2014 nuk ka asnjë rritje krahasuar me periudhën kohore 2012-2013, duke qëndruar në vlerën 1%.