Deputeti socialist Koço Kokëdhima i ka bërë të qartë ish-Kryeministrit Berisha se kompania e tij “Abissnet sh.a.” ka pasur kontrata me 27 institucione shtetërore të qeverisura nga Sali Berisha, dhe që nga momenti kur ai është bërë deputet i PS-së, nuk ka marrë asnjë kontratë nga qeveria e drejtuar nga Rama. Për më tepër, kjo kompani ka qënë në pronësinë e tij edhe 8 muaj pas marrjes së mandatit, sepse me 6 shkurt 2014, “Abbisnet” është shitur.
Në një shënim të postuar në Fb, Kokëdhima ka sqaruar sot me detaje marrëdhënien e tij me ish-kompaninë e internetit duke i konsideruar si mashtrim, spekulim dhe “shpifje të reja të Saliut”, akuzat se po përfiton fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a” nga 176 institucione shtetërore.
“E vërteta është se unë i kam shitur aksionet e Abissnetit më datë 6 shkurt 2014, – shkruan Kokëdhima në Fb. – Nga dita që unë jam bërë deputet e deri më datën 6 shkurt, kur unë isha aksioner, kompania “Abissnet sh.a “ nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me ndonjë institucion shtetëror. Deri në këtë datë, ajo ka pasur aktivitet me 27 institucione shtetërore, me kontrata të lidhura në kohën e Sali Berishës kryeministër.
Pas datës 6 shkurt 2014, kur unë e kam shitur këtë kompani, sipas deklaratës së shtypit të publikuar nga “Abissnet sh.a” sot në media, Abissneti ka lidhur kontrata për herë të parë gjatë 6 muajve të fundit të vitit 2014 me 19 institucione shtetërore dhe me 27 institucione të tjera, me të cilat ka pasur kontrata prej disa vjetësh.
Shuma e përgjithshme e të gjitha kontratave të Abissnetit me institucionet e shtetit është 3 milionë e 600 mijë lekë të reja, ose 0.75% e të ardhurave mesatare vjetore të shoqërisë Abissnet për katër vitet e fundit. Saliu ka mashtruar haptazi duke thënë 176 institucione shtetërore, në vend që të thoshte 46 institucione, 27 prej të cilave të lidhura në kohën e tij dhe vetëm 19 të tilla të lidhura në kohën e qeverisë së majtë, nga një kompani ku unë i kam shitur aksionet përpara se të lidheshin këto kontrata.
Shikojeni se çfarë pozite të pameriturar ka edhe sot Abissneti në shtet, për shkak të diskriminimit ekstrem që i ka bërë regjimi i Saliut në të shkuarën e afërt të gjitha kompanive të mia. Vlera mesatare e një kontrate është rreth 75 mijë lekë të reja në total. Kurrë nuk do të ndërhyja për të favorizuar ndonjë kompani, as për 75 milionë dollarë, e jo për 75 mijë lekë.
I bëra pasuritë e mija ndër vite përpara se të hyj në politikë dhe pa asnjë privilegj nga politika, – thekson Kokëdhima në përfundim. – Përkundrazi, në një opozitë të palëkundur ndaj dy baballarëve të korrupsionit të këtij vendi, me Saliun e Fatosin, që qeverisën për gati 24 vjet.”