Ministria e Drejtësisë ka përdorur fondet publike për të blerë bileta sporti VIP në mënyrë të paligjshme për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Danimarkës e luajtur më 11 tetor në Elbasan. Të dhënat e transaksioneve të thesarit të publikuara nga Open Data Albania, tregojnë se Ministria e Drejtësisë i pagoi 360 mijë lekë Federatës Shqiptare të Futbollit më 8 tetor për bileta futbolli. Megjithëse transaksioni është e listuar nga Ministria e Drejtësisë si “shpenzim për pjesëmarrje në konferenca”, përshkrimi i faturës thotë se pagesa u bë për “bileta” futbolli. 
Ministria e Drejtësisë, e pyetur nga media për këtë çështje, pranoi se ka paguar për dy bileta për ndeshjen, por tha se paratë do t’u mbahen dy punonjësve nga pagat e këtij muaji. “Sqarojmë se, sektori i financës në Ministrinë e Drejtësisë ka reflektuar (zbritur) këtë shumë në borderonë e pagave të muajit tetor 2014 për 2 punonjës të institucionit, të cilët kanë kërkuar të bëhet rezervimi”, tha ministria në një deklaratë.
Megjithëse, ministria thotë se vetëm dy bileta u blenë, mashtrimi del qartë, pasi ajo i transferoi Federatës Shqiptare të Futbollit 360 mijë lekë. Sipas Federatës, biletat më të shtrenjta në këtë ndeshje, në tribunën e vogël VIP, kushtonin 100 mijë lekë secila.
Ministria nuk tha se cilët qenë zyrtarët që panë ndeshjen në “Elbasan Arena” më 11 tetor. Gjithsesi, ministri i Drejtësisë Nasip Naço u fotografua në tribunën VIP gjatë ndeshjes. Megjithëse, shuma e parave është e vogël, sipas Kodit Penal shqiptar, përdorimi i fondeve publike nga zyrtarët për qëllime private konsiderohet shpërdorim detyre dhe sipas nenit 256 ndëshkohet me deri shtatë vjet burg dhe një gjobë.
Shqipëria luajti kundër Danimarkës më 11 tetor në “Elbasan Arena” dhe ndeshja përfundoi në barazim 1:1. Kjo qe ndeshja e dytë e kombëtares për fazën kualifikuese të Euro 2016. 
FSHF ua dha biletat e futbollit deputetëve të PS, të cilët ua dhanë militantëve të tyre në këmbim të votave të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe nxori në treg vetëm një pakicë biletash. Qindra tifozë kanë pritur më kot në radhë pranë biletarive në Elbasan dhe Tiranë, pasi aty nuk u shit asnjë biletë. Mjaft tifozë janë konfliktuar me policinë në Elbasan, pasi kanë kërkuar të dinë se ku kanë shkuar biletat e sportit.
Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se, kishte nxjerrë në treg biletat e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Danimarkë të cilat, sipas saj do të shiten në Tiranë dhe Elbasan. Por, situata në terren ishte krejt ndryshe. Në Elbasan janë nxjerrë në shitje vetëm një pakicë biletash pas portave, ndërsa biletat për anësoret dhe tribunat u janë dhënë deputetëve të PS, si dhe të ftuarve të Ramës dhe FSHF-së.
Nuk ka mjaftuar vetëm kjo, por mjaft bileta kanë dalë në tregun e zi, duke u shitur me dyfishin e çmimit. Ky fakt ka irrituar dhe revoltuar tifozët në Elbasan. E njëjta situatë edhe në Tiranë. Në kryeqytet nuk kishte asnjë biletë për ndeshjen Shqipëri-Danimarkë. Biletat janë shitur në tregun e zi, ndërsa shumica e tyre u është dhuruar zyrtarëve të lartë dhe miqve të Ramës e Dukës.