Disa punonjës të Ministrisë së Drejtësisë e ndoqën ndeshjen Shqipëri – Danimarkë, në stadiumin e Elbasanit, me bileta të paguara nga paratë publike. Open Data Albania publikoi të dhëna të transaksioneve të thesarit që tregojnë se Ministria e Drejtësisë i pagoi 36 mijë lekë Federatës Shqiptare të Futbollit më 8 tetor për bileta futbolli. 
Megjithëse transaksioni është e listuar nga ministria si “shpenzim për pjesëmarrje në konferenca” përshkrimi i faturës thotë se pagesa u bë për “bileta”. Agjencia BIRN është interesuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zyrtarë të saj i kanë pohuar se janë paguar dy bileta për ndeshjen me fondet e ministrisë, por kanë sqaruar se paratë do t’u mbahen dy punonjësve nga pagat e këtij muaji. 
BIRN citon një deklaratë të Ministrisë: “Sqarojmë se sektori i financës  në Ministrinë e Drejtësisë ka  reflektuar (zbritur) këtë shumë  në borderonë e pagave të muajit tetor 2014 për 2 punonjës të  institucionit  të cilët kanë kërkuar të bëhet rezervimi.”
Nuk dihet nëse një veprim i tillë është ligjor. Bileat që janë blerë rezulton të jenë më të shtrenjtat. Ministria nuk i ka dhënë agjencisë detaje se cilët ishin punonjësit që e ndoqën ndeshjen me biletat e paguara nga fondet publike. Por Ministri Nasip Naço është fotografuar në stadium, në tribunën VIP, tre radhë para çiftit kryeministror (foto). 
BIRN shkruan se megjithëse shuma e parave është e vogël, sipas kodit penal shqiptar, përdorimi i fondeve publike nga zyrtarët për qëllime private konsiderohet shpërdorim detyre dhe sipas nenit 256 ndëshkohet me deri shtatë vjet burg dhe një gjobë.