Partia Demokratike, përmes Koordinatores Grida Duma, i është rikthyer akuzave ndaj ministrit të Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj, përsa i takon fondeve që ka përfituar kompania EAG, që sipas PD i përket ministrit.
“EAG, kompania e Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, rezulton të jetë një grykëse e madhe. Kjo firmë qeveritare është ushqyer në mënyrë sistematike nga cdo institucion shtetëror.
Skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë cdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat.
Kjo kompani është bërë e pasur me taksat e shqiptarëve. Kemi këtu dokumentin e degës së thesarit që tregon paratë që kanë shkuar për EAG, pra për Veliaj and CO.
Agjensia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti.
Agjensia kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti.
Agjensia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti.
Agjensia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë leekë për EAG në mars të këtij viti.
Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti.
ALUIZNI, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti.
Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti.
Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG
Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjensive e Ministrive, që të japin para për EAG”, theksoi Duma.
Sipas saj, shqiptaret e dinin se kështu quhej kompania e regjistruar në emër të vëllait të Ministrit të Mirëqënies. Kur ishin në opozitë, sërish ata përfiton fonde.
“Gogla e Veliajt, ka marrë para nga bashkitë socialiste. Më e turpshmja është një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekësh që ka marrë nga Bashkia e Urës Vajgurore.
Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore është daja i Erion Veliajt, e patjetër ai do ti jepte nipit ca taksa të shqiptarëve.
Por Gogla e Velijat, edhe pse në opozitë në atë kohë, ka marrë para edhe nga Bashkia e Durrësit, apo nga  Avokati i Popullit.
Edhe pse vetëm me disa muaj jetë, EAG që nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë.
Kjo është vetëm një pjesë e përfitimeve. Ky pasurim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe taksave të tyre, ndodh pikërisht në kohën e varfërisë dhe skamjes, në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave, të cmimit të energjisë, të cmimit të naftës”, përfundon deklarata e PD-së.