Koordinatorja për mediat në Partinë Demokratike, Grida Duma, publikoi fakte të reja që sipas saj, tregojnë për “dhjetra e qindra milionë lekë të marra nga kompania e vëllait të Ministrit të Mirëqënies dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kryeministrit Rama”.
Në një deklaratë për mediat në selinë e PD-së, Duma tha se Kompania EAG, është ushqyer në mënyrë sistematike nga çdo institucion shtetëror. Sipas saj, skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë cdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat.
Duke treguar dokumentin e degës së thesarit që pasqyron paratë që kanë shkuar për EAG, Duma renditi disa nga shifrat, ndërsa tha se përpara se të bëhej kaq e pasur, kompania ishte gogla e Veliajt. Edhe kur ishin në opozitë tha Duma, kjo kompani ka marrë fonde të nga të zgjedhurit vendor socialistë.
“Agjensia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti. Agjensia kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti. Agjensia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti. Agjensia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë leekë për EAG në mars të këtij viti. Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti. Aluizni, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti. Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti. Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG. Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjensive e ministrive, që të japin para për EAG”,-deklaroi Duma.
Duke renditur shifrat e marrja nga kjo kompani nga bashkitë e udhëhequra nga përfaqësues të majtë, Duma tha se më e turpshmja është një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekësh që ka marrë nga Bashkia e Urës Vajgurore. “Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore është daja i Erion Veliajt, e patjetër ai do ti jepte nipit ca taksa të shqiptarëve. Por Gogla e Velijat, edhe pse në opozitë në atë kohë, ka marrë para edhe nga Bashkia e Durrësit, apo nga  Avokati i Popullit. Kur erdhën në pushtet rilindasit, Gogla u rrit, dhe u bë EAG. E provuar tashmë nga adresa e përbashkët që kanë pasur në një moment të historikut, i njëjti apartament në Tiranë, i ndryshuar emrin nga Gogel në EAG”,-deklaroi koordinatorja e Partisë Demokratike.
Duke thënë se EAG ka përfituar nga e përfitime me taksat e shqiptarëve, Duma deklaroi se kjo kompani nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, “rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë”,-tha Grida Duma.