Duma dhe Veliaj, mund të përplasen edhe për Bashkinë e Tiranës.
Ministri socialist i mirëqënies sociale dhe rinisë Erion Velia, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, vazhdon të mbetet nga më të sulmuarit për opozitën e djathtë. Pas akuza për drejtimin e fondeve shtetërore për çështje private, siç ishte rasti i cermonisë së martesës së tij në objekte muzeale, apo përfitim fondesh me rastin e vizitës së Papa Franceskut, së fundi zoti Velia po akuzohet se ka përfituar më shumë nga sa mendohet. Sipas koordinatores për marrëdhëniet me publikun Grida Duma, firma e vëllait të zotit Velia EAG ka përfituar brenda një viti 520 milionë lekë. 
“Ky varfërim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe taksave të tyre, ndodh pikërisht në kohën e varfërisë dhe skamjes, në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave, rritjen e energjisë, çmimit të naftës…” tha zonja Duma në një deklarim për mediat. 
Por ka reaguar menjëherë me një deklarim edhe zoti Velia. Ai ka thënë se akuzat e PD janë shpifje e pastër dhe për këtë arsye ka ftuar prokurorinë që të hetojë. \”Prej javesh jam vendosur në shënjestër të akuzave sistematike të Partise Demokratike në lidhje me organizme si ai i vizitës së Papes  e të tjera, ku as unë e as MMSR nuk jemi angazhuar, as në organizime e as në prokurime  të këtyre shërbimeve. 
Baltosja e atij aktiviteti dhe ngatërrimi me dashje i organizatorëve, është mashtrim, i ngjashëm me të tjera mashtrime për të cilat zonja Duma tashmë është dënuar nga gjykatat e Republikës tonë, e për të cilat po verpon përmbarimi. E ftoj policinë, prokurorinë, KLSH, ILDKP dhe gjykatat e vendit, të ushtrojnë gjithë autoritetin e kompetencat, si dhe ofrojë disponibilitetin tim maksimal në çdo kohë, për t\’u përballuar me çdo pretendim të saj e PD\” shprehet zoti Velia.
Disa analistë politikë i konsiderojnë këto replika si pjesë e luftës politike midis maxhorancës dhe opozitës, por edhe përballje e dy figurave politike që me gjasa mund të jenë edhe kundërshtarë për kreun e Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm.