Opozita ka publikuar të tjera fakte që tregojnë se kompania e EAG Communication, pas të cilës qëndron Ministri Erion Veliaj, ka përfituar miliona lekë tendera nga agjenci e institucione shtetërore. Sipas saj, kompania EAG Communication është majmur me abuzime dhe me përfitime nga taksat e shqiptarëve, pasi çdo zyrë shteti i jep para Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kryeministrit
Partia Demokratike publikoi dje fakte të reja për dhjetra e qindra milionë lekë që ka marrë kompania e vëllait të Ministrit të Mirëqënies, Erjon Veliaj dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës. Koordinatorja e PD, Grida Duma deklaroi se edhe pse vetëm me disa muaj jetë, EAG që nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë. 
“EAG, kompania e Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, rezulton të jetë një grykëse e madhe. Kjo firmë qeveritare është ushqyer në mënyrë sistematike nga çdo institucion shtetëror. Skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat. Kjo kompani është bërë e pasur me taksat e shqiptarëve. Kemi këtu dokumentin e degës së thesarit që tregon paratë që kanë shkuar për EAG, pra për Veliaj and CO. 
Agjensia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti. Agjensia kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti. Agjensia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti. Agjensia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë leekë për EAG në mars të këtij viti. Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti. Aluizni, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti. Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti. Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG. 
Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjensive e ministrive, që të japin para për EAG. Përpara se të bëhej kaq e pasur, EAG ishte Gogla e Veliajt. Shqiptaret e dinin se kështu quhej kompania e regjistruar në emër të vëllait të Ministrit të Mirëqënies. Kur ishin në opozitë, sërish ata përfiton fonde. Kështu Gogla e Veliajt, ka marrë para nga bashkitë socialiste. Më e turpshmja është një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekësh që ka marrë nga Bashkia e Urës Vajgurore. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore është daja i Erion Veliajt, e patjetër ai do ti jepte nipit ca taksa të shqiptarëve. Por Gogla e Velijat, edhe pse në opozitë në atë kohë, ka marrë para edhe nga Bashkia e Durrësit, apo nga Avokati i Popullit. Kur erdhën në pushtet rilindasit, Gogla u rrit, dhe u bë EAG. 
E provuar tashmë nga adresa e përbashkët që kanë pasur në një moment të historikut, i njëjti apartament në Tiranë, i ndryshuar emrin nga Gogel në EAG. Në pushtet, oreksi është rritur shumë, dhe EAG është majmur me abuzime e përfitime me taksat e shqiptarëve. Edhe pse vetëm me disa muaj jetë, EAG që nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë”, u shpreh Duma. 
Ajo theksoi se ky pasurim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe taksave të tyre, ndodh pikërisht në kohën e varfërisë dhe skamjes, në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave, të cmimit të energjisë, të cmimit të naftës. “Kjo është vetëm një pjesë e përfitimeve. Po mekanizmi i ngritur është skandaloz, është i pështirë. Çdo zyrë shteti i jep para të njëjtës kompani. Çdo zyrë shteti i jep para Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës. Kjo pra është qeverisja e Edi Ramës. Çdo gjë për xhepat dhe mirëqënien personale të Ministrit Veliaj e miqve të kryeministrit. E keqja duhet ndalur”, deklaroi koordinatorja e PD, Grida Duma.