Partia Demokratike publikon fakte të reja, që sipas saj, tregojnë se si kompania e vëllait të Ministrit të Mirëqenies dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës ka marrë para nga çdo zyrë e shtetit. Ministri e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj ka reaguar ndaj deklaratave të PD. 
Sipas Veliaj, jo vetëm që dikasteri që ai drejton nuk është marrë me organizime mbi ardhjen e Papa Franceskut në Tiranë, por bëri thirrje që organet hetimore të hetojnë mbi këto shpifje, sic i i cilësoi ai
DUMA
Në emër të PD-së, Grida Duma theksoi në një deklaratë për mediat se “skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat”. 
“EAG, kompania e Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, rezulton të jetë një grykëse e madhe. Kjo firmë qeveritare është ushqyer në mënyrë sistematike nga çdo institucion shtetëror.  Skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat.  Kjo kompani është bërë e pasur me taksat e shqiptarëve.  Kemi këtu dokumentin e degës së thesarit që tregon paratë që kanë shkuar për EAG, pra për Veliaj and CO. 

Agjencia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti. 
Agjencia kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti. 
Agjencia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti. 
Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë leekë për EAG në mars të këtij viti. 
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti. 
Aluizni, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti. 
Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti. 
Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG 
Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjencive e ministrive, që të japin para për EAG.”- deklaroi Duma. 
“Përpara se të bëhej kaq e pasur, EAG ishte Gogla e Veliajt. Shqiptaret e dinin se kështu quhej kompania e regjistruar në emër të vëllait të Ministrit të Mirëqënies. Kur ishin në opozitë, sërish ata përfiton fonde. Kështu Gogla e Veliajt, ka marrë para nga bashkitë socialiste. Më e turpshmja është një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekësh që ka marrë nga Bashkia e Urës Vajgurore. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore është daja i Erion Veliajt, e patjetër ai do ti jepte nipit ca taksa të shqiptarëve. Por Gogla e Velijat, edhe pse në opozitë në atë kohë, ka marrë para edhe nga Bashkia e Durrësit, apo nga Avokati i Popullit. 
Kur erdhën në pushtet rilindasit, Gogla u rrit, dhe u bë EAG. E provuar tashmë nga adresa e përbashkët që kanë pasur në një moment të historikut, i njëjti apartament në Tiranë, i ndryshuar emrin nga Gogel në EAG. Në pushtet, oreksi është rritur shumë, dhe EAG është majmur me abuzime e përfitime me taksat e shqiptarëve. 
Edhe pse vetëm me disa muaj jetë, EAG që nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë. Kjo është vetëm një pjesë e përfitimeve.”- theksoi Duma. 
“Po mekanizmi i ngritur është skandaloz, është i pështirë. Cdo zyrë shteti i jep para të njëjtës kompani. Cdo zyrë shteti i jep para Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës. Kjo pra është qeverisja e Edi Ramës. Cdo gjë për xhepat dhe mirëqënien personale të Ministrit Veliaj e miqve të kryeministrit. Ky pasurim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe taksave të tyre, ndodh pikërisht në kohën e varfërisë dhe skamjes, në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave, të cmimit të energjisë, të cmimit të naftës. E keqja duhet ndalur.”- përfundoi ajo.

Ministri Erion Veliaj reagon: Organet të hetojnë baltën e shpifjeve nga Duma 
Ministri e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj ka reaguar sot në mbrëmje ndaj deklaratave që Grida Duma ka bërë paradite. Sipas Veliaj, jo vetëm që dikasteri që ai drejton nuk është marrë me organizime mbi ardhjen e Papa Franceskut në Tiranë, por bëri thirrje që organet hetimore të hetojnë mbi këto shpifje, sic i i cilësoi ai. 

“Të nderuar miq, 

E ndiej me vend të bëj një sqarim publik si dhe një apel organeve ligj-zbatuese për të hetuar të gjithë baltën e shpifjeve nga zëdhënesja e PD zj.Grida Duma. 

Prej javësh jam vendosur në shenjestër të akuzave sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me organizime si ai i vizitës së Papës e të tjera ku as une e as MMSR nuk jemi angazhuar, as në organizime e as në prokurime të këtyre shërbimeve. Baltosja e atij aktiviteti dhe ngatërrimi me dashje i organizatorëve, është mashtrim – i ngjashëm me të tjera mashtrime për të cilat znj. Duma tashmë është dënuar nga gjykatat e republikës tonë e për të cilat po verpon përmbarimi. 

E ftoj policinë, prokurorinë, KLSH, ILDKP dhe gjykatat e vendit të ushtrojnë gjithë autoritetin e kompetencat si dhe ofroj disponibilitetin tim maksimal në çdo kohë, për t’u përballuar me çdo pretendim të saj e PD. 

Në aktivitetin tim si minister jam përfshirë në reforma jo të lehta si ajo e Pensioneve, Shkollave Profesionale, Ndihmës Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuara, Zyrat e Punës apo të Përndjekurit. Reformat nuk janë perfekte, por janë jetike dhe prekin jetët e rreth 2 milionë shqiptarëve. Është habi se si PD nuk ka asnjë reagim ose alternativë më të mirë për keto reforma – si një parti që synon të vijë në pushtet duke pretenduar se mund t’i bëjë më mirë këto punë. Përkundrazi, baltë e shpifje non-stop si e vetmja alternativë e demokratëve a thua se nesër do paguajë pensionet apo të përndjekurit me kilet e vrerit. 

Kolegët e saj zgërdhihen e shkurajnë “IT’S POLITICS”! Po pse, kjo është politika? Unë i kuptoj ethet e Gridës për t’u afirmuar në një parti që as e voton e as e duron, por nuk do bëhet më e dashur pa folur më parë se ç’alternativë ka ajo për PD apo për këto shtresa që duan zgjidhje e jo llucë nga goja. 

Së fundi, por jo me pak i rëndësishëm është sulmi ndaj familjes së kundërshtarëve. Nëse një familjar imi ka shkelur ligjin e ftoj Gridën t’i çojë në prokurori një orë e më parë e secili të marrë dënimin sipas ligjit. Por, të shpifësh për njerëz që nuk merren me politikë, por kanë taksiratin e vetëm që janë familja ime, kjo është më shumë se e ulet. 

Zelli i Gridës për të dhunuar e shkretuar shumë familje shqiptare është tashmë një ‘sekret publik’ në vendin tonë të vogël, por siç është dëshmuar publikisht, në asnjë debat e ballafaqim me të nuk kam ngatërruar idetë se si zgjidhen problemet e vendit me galopin e saj se si shkatërrohen familjet e vendit. Me sens etik i kam mbajtur të ndara betejat tona politike, nga tollovia e saj private. 

Por kjo nuk do të thote se do lejoj Griden të shkaterroje edhe familjen time në këtë pasion të saj të pafrenueshëm ku mendon se ka gjetur prenë e rradhës. Përkundrazi, do angazhohem sa të mundem që asnjë familje tjetër t’mos e ketë më në qafë këtë mallkim nga politika që për karrierë dhunon cdo gjë të shenjtë. 

Ndaj e pres atë dhe këdo nga SHQUP në prokurori për çdo shkelje që pretendojnë, në debat për çdo zgjidhje konkrete që ofrojnë, e në parlament për çdo alternativë që sjellin. Kjo është politika! 

Falemnderit”