ODA ka realizuar një studim mbi lëvizjet dhe riorganizimin e numrit të punonjësve që ka përgatitur qeveria rama për vitin 2015. Ky studim është tejet interesant pasi në thelb tregon se në total numri i punonjësve të administratës ka mbetur i pandryshuar në tre vitet e fundit, por për vitin e ardhshëm do të ketë pakësime të ndjeshme në ministrinë e Arsimit dhe atë të Mbrojtjes dhe një shtim të ndjeshëm të numrit të punonjësve në Ministrinë e brendshme dhe në Ministrinë e Punës.



Nëse do ta krahasonim me vitet e kaluara, vëmë re që numri i punonjësve i vitit 2015 është pothuajse i njëjtë me numrin e punonjësve buxhetorë në vitin 2012, me një diferencë prej 90 punonjës më shumë në vitin 2012.

Po të krahasojmë vlerat në vitin 2014 dhe 2015, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Financave; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Punëve të Jashtme; Ministria e Mbrojtjes; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga tkurrja e numrit të punonjësve preken më shumë Ministria e Arsimit dhe Sportit me 662  punonjës më pak, dhe Ministria e Mbrojtjes me 499 punonjës më pak. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve me 1386 punonjës. Për vitin 2014 ministria e Veliajt kishte 1449 punonjës, çka do të thotë se shtesa e re për vitin 2015, praktikisht ka dyfishuar numrin e stafit së kësaj ministrie.


Kjo është dhe lëvizja më e ndjeshme në planin e ri të qeverisë dhe ende nuk është e qartë se cila nevojë apo projekt i vitit 2015 ka motivuar  dyfishimin e numrit të stafit të kësaj ministrie, nisur nga fakti se dy nga prioritetet kryesore të qeverisë janë energjia dhe ndërtimet pa leje.

Pas saj vjen Ministria e Brendshme me 1083 punonjës më shumë; Ministria e Drejtësisë me 428 punonjës më shumë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me 185 punonjës më shumë në vitin 2015.

Numri i punonjësve pranë Këshillit të Ministrave ka qëndruar i pandryshuar në vitet 2011-2013. Në vitin 2014 ky institucion pësoi një rritje me rreth 26% të numrit të punonjësve krahasuar me një vit më parë, duke shtuar kështu 33 vende të reja pune. Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 66 punonjës të rinj.

Ministria e Brendshme është ndër institucionet që do të ketë 1083 punonjës të rinj për vitin 2015. Numri i punonjësve pranë këtij institucioni ka ardhur në rritje të lehta përgjatë viteve 2011-2013. Në vitin 2014 pati një tkurrje të lehtë të numrit të punonjësve. Viti 2015 shënon 1083 efektiva më shumë.