Numri i punonjësve buxhetorë ka pësuar tkurrje të vazhdueshme përgjatë viteve 2011-2014. Por për vitin e ardhshëm kjo skemë është parashikuar në rritje, madje të ndjeshme. Në vitin 2014, në institucionet buxhetore punonin 86 350 punonjës, ndërsa në vitin 2015 janë miratuar 2200 punonjës më shumë, duke arritur numrin prej 88 550 punonjësish. 

Open Data Albania ka përditësuar së fundmi të dhënat në lidhje me numrin e të punësuarve në institucionet buxhetore për vitin 2015.   Sipas saj, nëse do ta krahasonim me vitet e kaluara, vëmë re që numri i punonjësve i vitit 2015 është pothuajse i njëjtë me numrin e punonjësve buxhetorë në vitin 2012, me një diferencë prej 90 punonjës më shumë në vitin 2012.

Ndërkaq, nga krahasimi i vlerave në vitin 2014 dhe 2015, rezulton se ka tkurrje të punonjësve Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Financave; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Punëve të Jashtme; Ministria e Mbrojtjes; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.   Sipas studimit të Open Data, nga tkurrja e numrit të punonjësve preken më shumë Ministria e Arsimit dhe Sportit me 662 punonjës më pak, dhe Ministria e Mbrojtjes me 499 punonjës më pak. 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve me 1386 punonjës. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me 1083 punonjës më shumë; Ministria e Drejtësisë me 428 punonjës më shumë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me 185 punonjës më shumë në vitin 2015. Numri i punonjësve pranë Këshillit të Ministrave ka qëndruar i pandryshuar në vitet 2011-2013. Në vitin 2014 ky institucion pësoi një rritje me rreth 26% të numrit të punonjësve krahasuar me një vit më parë, duke shtuar kështu 33 vende të reja pune. 

Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 66 punonjës të rinj. Ministria e Brendshme është ndër institucionet që do të ketë 1083 punonjës të rinj për vitin 2015. Numri i punonjësve pranë këtij institucioni ka ardhur në rritje të lehta përgjatë viteve 2011-2013. Në vitin 2014 pati një tkurrje të lehtë të numrit të punonjësve. Viti 2015 shënon 1083 efektiva më shumë.   

Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve    

Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2015 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Pavarësisht se kemi një rënie të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 43.28% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit.   Kjo shifër ka ngelur konstante për të 5 vitet e shqyrtuara. Të dhënat e studiuara nga Open Data janë marrë nga tabelat shoqëruese të ligjit për buxhetin e shtetit 2015. Institucionet Buxhetore janë ministritë, drejtoritë në vartësi të drejtpërdrejtë apo institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Pagat e tyre mbulohen nga Buxheti i Shtetit.