Rritjen më të lartë borxhi për frymë e ka pasur në vitin 2014, e shkaktuar kryesisht nga rritja e lartë që pësoi stoku i borxhit në këtë vit. Në Buxhetin e Rishikuar për vitin 2014, stoku total i borxhit shfaqet me 104 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, apo 11.76%, duke shënuar rritjen më të lartë të borxhit publik që nga viti 2010. Viti 2015 shfaqet me ritmin më të ulët rritës të stokut të borxhit për periudhën e marrë në shqyrtim, 6.47% kundrejt vitit 2014, në dallim nga vite si 2011a ku borxhi u rrit me 8% apo apo 2013a me 6.88%. Megjithatë akumulimi i tij ndër vite dhe rritja konstante, ka bërë që vitin që vjen, shqiptarët të përballojnë një borxh përherë e më të lartë.
Kështu, një familjeje mesatare me 4 persona që në vitin 2010 “i takonin” 980 606 lekë nga borxhi publik i përbashkët, në vitin 2015 do të mbartë 1 455 000 lekë. Duhet theksuar se në llogaritjen e borxhit për frymë ndikojnë dy parametra, stoku i borxhit dhe popullsia. Tkurrja e popullsisë që nga viti 2010 ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e borxhit për frymë, megjithatë, ritmet e ulëta me të cilat ndryshon popullsia ka bërë që faktori mbizotërues që përcakton ecurinë e këtij indikatori të jetë stoku i borxhit publik.