Open Data Albania ka marrë në shqyrtim borxhin për frymë në vitet 2010-2015. Ai llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti me popullsinë në një kohë të caktuar.
Sikurse vihet re nga grafiku, pjesa e stokut të borxhit që mbart çdo qytetar shqiptar nga viti në vit ka ardhur në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2015. Nga 245 151 lekë që ishte borxhi për frymë në 2010-n, ai është shtuar me rreth 118 mijë lekë apo 48% më shumë në 2015-n, për të vajtur në 363 750 lekë.
Rritjen më të lartë borxhi për frymë e ka pasur në vitin 2014, e shkaktuar kryesisht nga rritja e lartë që pësoi stoku i borxhit në këtë vit. Në Buxhetin e Rishikuar për vitin 2014, stoku total i borxhit shfaqet me 104 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, apo 11.76%, duke shënuar rritjen më të lartë të borxhit publik që nga viti 2010.
2015-a shfaqet me ritmin më të ulët rritës të stokut të borxhit për periudhën e marrë në shqyrtim, 6.47% kundrejt vitit 2014, në dallim nga vite si 2011-a ku borxhi u rrit me 8% apo apo 2013-a me 6.88%. Megjithatë akumulimi i tij ndër vite dhe rritja konstante, ka bërë që vitin që vjen, shqiptarët të përballojnë një borxh përherë e më të lartë. Kështu, një familjeje mesatare me 4 persona që në vitin 2010 “i takonin” 980 606 lekë nga borxhi publik i përbashkët, në vitin 2015 do të mbartë 1 455 000 lekë.
Duhet theksuar se në llogaritjen e borxhit për frymë ndikojnë dy parametra, stoku i borxhit dhe popullsia. Tkurrja e popullsisë që nga viti 2010 ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e borxhit për frymë, megjithatë, ritmet e ulta me të cilat ndryshon popullsia ka bërë që faktori mbizotërues që përcakton ecurinë e këtij indikatori të jetë stoku i borxhit publik. Ky fakt del edhe më qartë nga grafiku i mëposhtëm.