Open Data Albania po hulumton mbi vlera të eksporteve të mineraleve metalike dhe artikujve me bazë këto metale si dhe vlera të rentës minerare. Analiza është fokusuar në të dhëna për vitet 2010 – 2015 dhe ka tregues krahasimor për vendin tonë, Republikën e Kosovës dhe disa nga vendet kryesore eksploruese të mineraleve. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe vepron në industrinë minerare, paguan taksën e rentës për mineralet që nxjerr nga mbitoka dhe nëntoka si dhe nënproduktet që dalin nga këto minerale.

Vlera e eksporteve të mineraleve metalike dhe artikujve me bazë këto metale, zë një pjesë të konsiderueshme të vlerës totale të eksporteve. Në vitin 2010, vlera e eksporteve të këtij grupi mineralesh zinte rreth 19.2 % të totalit të eksporteve, për të arritur në 20.5% në vitin 2011. Në vitet 2012-2014 kemi rënie të peshës së eksporteve të këtij grupi mineralesh ndaj totalit, ku në vitin 2014 ato zënë vetëm 14.1% të vlerës së totalit të eksporteve. Për vitin 2013, të ardhurat nga renta minerare ishin vetëm 2.6% të të ardhurave buxhetore.

Vlera e eksporteve të mineraleve metalike sipas llojit, 2010-2014
(Vlera në mln lek)


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Peshën më të madhe të eksporteve për vitin 2014 e zë hekuri dhe çeliku, si dhe artikujt e tyre. Eksportet e bakrit dhe artikujve të tij për vitin 2014 ishin vetëm 4 049 ton, duke pësuar një rënie me rreth 15% krahasuar me vitin 2013. Viti 2014 ka shënuar një rritje të eksporteve të aluminit dhe artikujve të tij me rreth 19% krahasuar me vitin 2013, duke arritur në  16 583 ton eksporte.

Sasia e eksporteve të mineraleve metalike sipas llojit, 2010-2014


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Për vitin 2015, në ligjin për Taksat Kombëtare është refletuar një ndryshim në nivelin e rentës minerare për mineralet e grupit të parë që përfshijnë të gjitha mineralet metalike si: argjendi, ari, bakri, kromi, nikeli, hekuri, plumbi, zinku. Në rastin kur zotëruesit e lejeve të shfrytëzimit për mineralet metalike, mineralin e nxjerrë nga sipërfaqja/nëntoka e përpunojnë më tej, duke prodhuar një nënprodukt, përqindja e rentës minerare të aplikuar është sa 2/3 e përqindjes normale që do të aplikohej nëse produkti nuk do të përpunohej.



Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Në vendin tonë renta minerare llogaritet si përqindje ndaj vlerës së përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit. Kjo mënyrë llogaritje aplikohet edhe në vende të tjera të botës që janë të njohura për pasuritë e tyre të nëntokës, si Australia, Brazili, Kina, Gana, Indonezia, Mongolia dhe Afrika e Jugut. Në vende të tjera si : Kanadaja, Kili, Peruja dhe Meksika përqindja e rentës minerare dhe vlera e saj bazohet në metodat kontabël të njohjes së shpenzimeve të nisjes dhe ato operative. Po ashtu, diferenca mes vendeve gjejmë edhe në normat e rentës minerare të aplikuara. Në disa vende aplikohet një nivel rente minerare për një mineral të caktuar, ndërsa në vende të tjera aplikohen nivele të ndryshme rente minerare për të njëjtin mineral në varësi të rregullimeve përkatëse dhe gjendjes së mineralit.

Në vendet e shqyrtuara niveli i rentës minerare për mineralin e bakrit fillon nga 0% deri në 30%. Vende si Australia, Brazili, Kina, Gana, Indonezia dhe Kosova aplikojnë nivelet më të ulëta se vendi ynë të rentës minerare, që fillojnë nga 0.5% deri në 5%. Vendet e tjera aplikojnë nivele maksimale të rentës minerare më të mëdha se vendi, duke filluar nga 7% deri në 30%.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Niveli i rentës minerare për arin fillon nga 0% deri në 21.5%. Brazili është vendi që aplikon normën më të ulët prej vetëm 1%. Peruja aplikon nomat më të larta të rentës minerare që vijojnë nga 6% deri më 21.5%. Kosova, sikurse dhe Gana, Kina, Australia, Mongolia, Afrika e Jugut, Indonezia aplikojnë norma minimale dhe maksimale më të ulëta të rentës minerare për arin se vendi ynë.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Minerali i hekurit përbën pjesën më të madhe të eksporteve të mineraleve metalike. Norma e rentës minerare e aplikuar për mineralin e papërpunuar të hekurit është 5%, ndërsa në rastin kur ky mineral përpunohet aplikohet një rentë prej 3.33%. Në vende si Kili, Kanadaja dhe Peruja renta minerare për këtë mineral arrin deri në 21.5%. Norma të ulëta të rentës minerare për hekurin aplikojnë Brazili dhe Indonezia me përkatësisht 2% dhe 3%.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Kontribuoi: Ina Baja