Të ardhurat buxhetore shihen në rritje për vitin 2015. Në një hulumtim të bërë nga Open Data Albania, parashikimi i buxhetit të shtetit për vitin në të cilin jemi parashikohet pozitiv, të ardhura të parashikuara të vijnë kryesisht nga taksat. Sipas studimit vitit 2012 dhe 2013 shënuan një trend rënës në të ardhurat buxhetore. Ky tregues është përmirësuar ndjeshëm në vitin 2014, ku të ardhurat buxhetore ishin 366.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2013.
Parashikimi për të ardhurat buxhetore për vitin 2015 arrijnë në 414.5 miliardë lekë, pra rreth 13% më shumë se në vitin 2014. Por tej rritjes së të ardhurave në buxhet, për shkak të rritjes së nivelit të taksimit, në parashikimet afatmesme vihet re mungesa e investimeve. Duket që synimi i vetëm i qeverisë është të mbushë arkën bosh të shtetit, dhe investimet të mund t’i sigurojë me financime të jashtme, apo duke rritur likuiditetin me pagesat e vonuara për biznesin ndër vite.
Taksat që sjellin më shumë të ardhura në buxhet
Në vitin 2014, zëra përbërës të të ardhurave buxhetore kanë pësuar rritje në vlerë absolute krahasuar me vitin 2013, me përjashtim të të ardhurave nga: tatimi mbi të ardhurat personale; taksa mbi biznesin e vogël; të ardhurat për kompensim në vlerë të pronarëve dhe të ardhura buxhetore nga transferimi i fitimit nga Banka e Shqipërisë. Në vitin 2014 u mblodhën rreth 11% më shumë të ardhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) sesa në vitin 2013, duke arritur një vlerë prej 123.8 miliardë lekë. Për vitin 2015 është parashikuar të mblidhen 135.2 miliardë lekë nga TVSH. 
Të ardhurat nga Akcizat janë një tjetër zë i rëndësishëm në të ardhurat buxhetore, i cili paraqet vlera rritëse përgjatë viteve 2013-2014 dhe në parashikimet e vitit 2015. Në vitin 2014 u mblodhën 7.2% më shumë të ardhura nga akciza sesa në vitin 2013, ndërsa në vitin 2015 është parashikuar të mblidhen 51.7 miliardë lekë, rreth 26.5% më shumë se në vitin 2014. Po kështu të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pësuan një rritje me 6.4 miliardë lekë në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013. Për vitin 2015 është parashikuar një rritje prej rreth 10% e këtyre të ardhurave krahasuar me vitin 2014. 
Sipas Open Data Albania, të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale në vitin 2013 shënuan vlerën e tyre më të lartë që prej vitit 2004. Në vitin 2014 pati një rënie të këtyre të ardhurave me 2.4% krahasuar me vitin 2013. Por për vitin 2015 është parashikuar një rritje me 22.4% e këtyre të ardhurave. Këto pritshmëri vijnë nga rritja e taksave të parashikuar në paketën e re fiskale për vitin 2015, ku të ardhurat që vijnë nga interesat, dividentët, honoraret, qiraja etj, do të kenë një shkallë tatimi prej 15% dhe jo 10% siç është aplikuar deri në fund të vitit 2014. 
Të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera paraqiten në trend rritës, ku në vitin 2014 u mblodhën 4.2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013. Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 31% e këtyre të ardhurave, mbështetur kjo në ndryshimet e ligjit për taksat kombëtare. Në vitin 2014, të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë pësuar një rritje me 20% krahasuar me vitin 2013. Parashikimet për vitin 2015 tregojnë një ulje të të ardhurave nga sigurimet shoqërore me 2.4 miliardë lekë kundrejt 2014-ës. Të ardhurat nga sigurimi shëndetësor paraqiten në vlera rritëse si në buxhetin faktik të viteve 2013-2014, ashtu edhe në parashikimet për vitin 2015. Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burimet e ndryshme tatimore, jo tatimore dhe ndihmat e dhëna nga qeveritë e shteteve të huaja apo donatorët.