Open Data Albania po hulumton mbi rentën minerare në Republikën e Kosovës. Sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës, renta minerare përcaktohet si një shumë që duhet paguar buxhetit të shtetit si kompensim për shfrytëzimin e resurseve që nuk përtëriten. Lista e rentës minerare të Republikës së Kosovës i kategorizon mineralet në gjashtë grupe kryesore: mineralet energjetike; mineralet metalore; mineralet industriale/jometalore; mineralet ndërtimore; gurë të çmuar, gjysmë të çmuar dhe dekorativ; si dhe uji mineral. Për secilin nga këto gjashtë grupe evidentohen një sërë mineralesh me nivelin e rentës minerare përkatëse.  Renta minerare për disa minerale është caktuar si përqindje, ndërsa për disa minerale të tjera është caktuar si vlerë fikse.

Në grupin e parë të mineraleve energjetike përfshihet vetëm qymyri, i cili është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës. Sipas të dhënave të marra nga Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025, qymyrguri furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike. Baseni i Kosovës, Dukagjinit dhe Drenicës janë basenet më të mëdha qymyrmbajtëse. Rezervat gjeologjike të përllogaritura të qymyrit në Republikën e Kosovës arrijnë në  12,442,461,000 ton. Renta minerare e aplikuar për qymyrin është 3 €/t.

Niveli i rentës minerare për qymyrin, Kosovë 2015


Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania       

Në grupin e dytë bëjnë pjesë mineralet metalore, ku renta minerare për këto minerale lëviz në kufijtë 4.5-5%. Mineralet si argjendi, ari, platini kanë një nivel rente minerare prej 5%, ku si njësi matëse e sasisë së larguar nga miniera, për efekt të llogaritjes së vlerës së rentës minerare për tu paguar, merret kilogrami. Për të gjitha mineralet e tjera të këtij grupi aplikohet një rentë prej 4.5%, por në këtë rast si njësi matëse e sasisë së larguar nga miniera merret ton. Republika e Kosovës paraqet rezerva të konsiderueshme të mineraleve si plumbi, zinku dhe argjendi.

Vendburimet më të rëndësishme të plumbit dhe zinkut gjenden në pjesën verilindore të Kosovës, në Brezin Metalogjenik të Trepçës. Sipas të dhënave të Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës, vendburimet e Trepçës përllogarisin 58,662,569 ton rezerva xehe si resurse, 2,615,578 ton plumb,  2,508,321 ton zink dhe 4,447,359 kg argjend.

Niveli i rentës minerare për mineralet metalore, Kosovë 2015


Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania      

Në grupin e tretë bëjnë pjesë mineralet jometalore, apo siç emërtohen ndryshe edhe mineralet industriale. Renta minerare në këtë grup aplikohet edhe në përqindje, edhe në vlerë fikse. Për mineralet që aplikohet renta minerare në përqindje, kemi një nivel prej 4% të rentës, ku si njësi matëse e sasisë së larguar nga miniera, për efekt të llogaritjes së vlerës së rentës minerare për tu paguar, merret një ton. Për pjesën e mineraleve që aplikohet një rentë në vlerë fikse, shohim që këto vlera variojnë nga 0.2 €/t deri në 1.2 €/t. 

Niveli i rentës minerare për mineralet industriale/jometalore, Kosovë 2015


Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania     

Në grupin e katërt përfshin mineralet ndërtimore, ku renta minerare në këtë grup aplikohet si vlerë fikse. Niveli i rentës në këtë grup varion nga 0.5 €/m3 deri në 1.25 €/m3. Rëra dhe zhavorri janë mineralet që kanë edhe vlerën më të lartë të rentës minerare për këtë grup, prej 1.25 €/m3. 

Niveli i rentës minerare për mineralet ndërtimore, Kosovë 2015

Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Në grupin e pestë ku përfshihen gurët e çmuar, gjysmë të çmuar dhe dekorativ, renta minerare aplikohet në përqindje që variojnë nga 3.2% deri në 4%. Si njësi matëse merret kilogrami ose m3 në varësi të mineralit.  

Niveli i rentës minerare për gurët e çmuar, gjysmë të çmuar dhe dekorativ, Kosovë 2015


Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Në grupin e fundit përfshihet uji mineral, ku renta e aplikuar në nivelin prej 2% për m3.

Niveli i rentës minerare për ujin mineral, Kosovë 2015



Burimi: Vendim Nr. 04-V-380, datë 25/05/2012      
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Kontribuoi: Ina Baja