Ndërsa në total, për vitin 2015, fondi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve është 20 milionë dollarë, deri në prill Qeveria ka paguar 7.7 milionë dollarë për kompensimin e tyre. “Open Data Albania” ka zbardhur 66 transaksionet e kryera nga Ministria e Financave për kompensimin e ish të përndjekurve nga 1 janari deri në prill 2015, përmes të cilëve janë disbursuar në total 769,536,907 lekë (afërsisht 7.7 milionë dollarë).
Sipas shoqatës, një pjesë e vlerës i përket buxhetit të shtetit të vitit 2014, si transaksione të urdhëruara në datën e fundit të vitit 31.12.2014  dhe të ekzekutuara në datat e para të vitit 2015. Ndërsa në vlerë 740,633,009 Lekë janë transaksione që i përkasin shpenzimeve publike sipas Buxhetit të Shtetit për vitin 2015.
 
Dosjet
Ministria e Financave ka bërë publike 400 dosje, kësti i parë i të cilave është tërhequr pjesërisht, ose nuk është tërhequr fare për mungesa në dokumentacion. “Shqiptarja.com” publikon sot numrin dhe emrat e ish të dënuarve për 270 dosje të cilat nuk mund të ekzekutohen për shkak të mungesave në dokumentacion. Për 130 dosjet e tjera, trashëgimtarët nuk kanë tërhequr ende shumat përkatëse.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimeve pranë kësaj Ministrie, trashëgimtarët në fjalë nuk mund t’i tërheqin ende shumat, kryesisht për shkak të mungesave në dokumentacionin e nevojshëm. Boshllëqet në dokumentacionin e kërkuar mund të nisin nga mungesa e dokumentit të identifikimit, te mungesa e llogarisë bankare për derdhjen e shuma, apo te certifikatat personale e familjare.