Numri i martesave në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, ndërsa numri i divorceve është rritur. Të dhënat statistikore nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile tregojnë se në 24 vitet e fundit (periudha 1990-2014), kemi një rënie të martesave me 18 për qind, ose thënë ndryshe rreth 5 mijë martesa më pak në vit.
“Në një hark më të gjatë kohor (1990-2014) numri i martesave ka pësuar një rënie prej 18 për qind. Kështu, nëse në vitin 1990 shënohen 28 992 martesa në vitin 2014 shënohen 23 769. Qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës në të cilin në vitin 2014 janë kurorëzuar në martesë 5 880 çifte. Ky qark përbën 25 për qind të totalit të martesave të këtij viti. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë dhe Elbasani, Fieri e Durrësi me mbi dymijë martesa të regjistruara pranë Gjendjes Civile,” thuhet në një studim të fundit të Open Data Albania.
Ndërkohë që në raport të zhdrejtë me martesat numri i divorceve ka pësuar rritje në këto 24 vite. Nga 2 675 divorce të shënuara në vitin 1990, jemi në 4 mijë e 240 në vitin 2014. Sipas të njëjtit studim në vitin 1990, për një mijë banorë realizoheshin 8.9 martesa, ndërsa në vitin 2014 ky indikator ishte 8.2.
Sipas sociologëve ky ritëm shpjegohet me faktin se stili i jetesës në Shqipëri ka ndryshuar shumë dhe është modernizuar; ku sot divorci nuk është më një tabu dhe gruaja ka fituar pavarësinë e vet ekonomike për të përballuar jetën edhe pa ndihmën e një burri.