Në një hark më të gjatë kohor (1990-2014) numri i martesave ka pësuar një rënie prej 18%. Kështu nëse në vitin 1990 shënohen 28 992 martesa në vitin 2014 shënohen 23 769.

Qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës në të cilin në vitin 2014 janë kurorëzuar në martesë 5 880 çifte. Ky qark përbën 25% të totalit të martesave të këtij viti. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë dhe Elbasani, Fieri e Durrësi me mbi dymijë martesa të regjistruara pranë Gjendjes Civile.

Në raport të zhdrejtë me martesat numri i divorceve ka pësuar rritje në këto 24 vite. Nga 2 675 divorce të shënuara në vitin 1990, në 4240 në vitin 2014.

Dy indikatorë që tregojnë ndryshimin e sjelljes sociale në vendin tonë janë dhe koeficienti bruto i martesës si dhe koeficienti i divorcit.  Koeficienti bruto i martesës është numri i martesave për 1.000 banorë, në një vit të dhënë, ndërsa koeficienti i divorcit është numri i divorceve për 100 martesa në një vit të dhënë.

Në vitin 1990, për njëmijë banorë realizoheshin 8.9 martesa, ndërsa në vitin 2014 ky indikator ishte 8.2. Ky koeficient përmban një marzh të lartë gabimi për shkak të metodologjisë përllogaritëse nga Instituti i Statistikave. Ndërsa numri i martesave merret nga Regjistri Kombëtar ku shënohen edhe martesa të shtetasve shqiptar jo rezident në vend, popullsia llogaritet sipas Censusit të fundit ku nuk shënohen emigrantët rezident në vende të huaja por ende me shtetësi shqiptare.

Nga ana tjetër, koeficienti prej 17.8 divorce për njëqind martesa në vitin 2014 dëshmon për një etapë të re të modelit social të shoqërisë shqiptare. Në këtë vit për çdo njëqind martesa që realizohen tetëmbëdhjetë përfundojnë në divorce. Kjo ka shënuar rritje me 2 divorce më shumë për vitin 2014 kundrejt 2013 në çdo 100 martesa. Ndërkohë viti me koeficientin më të ulët të divorceve ka qenë viti 1997 dhe me koeficient më të lartë ka qenw viti 2016. Artikullin, të dhënat dhe vizualizime ju mund ti gjeni duke klikuar në Open Data Albania.