Auditimi i financimit të partive politike për vitin 2014 dhe fushatës zgjedhore ka dhënë shenjat e qarta se po shkon drejt dështimit ose drejt një auditimi krejtësisht formal.
KQZ prezantoi pak kohë me parë shqetësimin se nuk ishin paraqitur audituesit, për të kryer auditin kur afati kish përfunduar, duke ju dhëne kohë edhe disa ditë të tjera deri të hënën me datë 3 gusht. Drilona Hoxha: “Nisur nga numri i vogël i auditeve që kanë shfaqur interes për auditimin e partive politiike, KQZ ripërsërit apelin ndaj ekspertëve kontabël të liçensuar pranë institutit IEKA që të shfaqin interes dhe të aplikojnë pranë KQZ për të adituar partitë politike”.
Problemi është se në këtë fazë, auditimi pritet të jetë krejtësish formal, pasi ligji i vendos audituesit thjesht në rolin e çertifikuesit.
Ata thjesht marrin në dorëzim faturat e partive dhe verfikojnë nëse kjo faturë është përfshirë ose jo në bilancin e partive, pra pa hyrë në thellësi kush është donator dhe ku u gjetën financimet.
Këtë e konfirmojnë edhe vetë audituesit, duke shpjeguar kështu edhe interesin e ulët ndaj thirrjeve të KQZ për të marrë pjesë në auditimin e kërkuar.
“Për mua ky proçes nuk është serioz.Unë nuk e quaj serioz,e bëjnë kot.Kështu që nje profesionist që është profesionist serioz nuk e merr përsipër një mision të tillë.Çfarë të drejta kanë këta auditë dhe a kanë këta kohën e nevojshme për të verifikuar dhe për të çertifikuar pasqyrat financiare të tyre? Se ne për hartimin e pasqyrave financiare akoma nuk kemi standarte se si duhet ta hartojë ai pasqyrën financiare.Pale pastaj të bëjmë dhe çertifikimin e tyre”.
Kjo për sa i takon auditimit të fushatës, ndërsa në lidhje me auditimin e financimit të partive për një vit, shtohen dyshimet për formalizëm pasi është thuajse e pamundur që afro 100 parti politike të kontrollohen në aktivitetin e tyre financiar një vjeçar për një muaj.
Ka dhe një problem të konstatuar me pagesat e audituesve. Ligji nuk parashikon sa është vlera dhe kush paguan për auditimet vjetore, ndërsa për financimin e fushatave paratë janë parashikuar në fondin e KQZ. Por edhe kjo i lë krejtësisht të pakënaqur audituesit.
“Edhe shpërblimi për shëmbull që është një shpërblim që mund të jetë qesharak për një profesionist për shembull që mund ta ketë orën e punës 70 euro”.
Por çfarë ndodh? Ekspertët vënë re se standarti i kodit zgjedhor është më i prapambetur se ligji i financimit të partive dhe për pasojë edhe auditimi i financimit të fushatës.
“Elementi tjetër dedifektoz është edhe fakti që KQZ megjithëse përmes ligjit që është kodi zgjedhor,janë dhënë mjaft detyra për të administruar auditimet e partive politike, per të publikuar në kohë reale të dhëna që kanë të bëjnë me llogari bankare të partive politike, nuk ka kompetenca dhe një strukturë të shprehur shumë qartë se si duhet ta kryejë këtë detyrë.
Deri tani auditimi dhe kontrolli i financës së partive politike gjatë fushatave elektorale i është lënë herë Drejtorisë ekonomike dhe herë Drejtorisë juridike. Shpesh herë disa kompetenca i ka marrë edhe Sekretari i Përgjithshëm apo edhe vet Komisioni pra anëtarësia e Komisionit.
Por nuk kemi inspektor të mirëfilltë që mund të bëjë verifikime,nuk kemi parashikime nënligjore të cilat do rregullojnë se si do të ndërhyet, se si vepron ky institucion në rast se kemi neglizhenca në transparence, ose nëse kemi raste ku ka kontekst fiktiviteti të mosraportimit dhe të tjera informacione që kanë të bëjnë me shpenzimet elektorale”.
Partitë mendojnë se nuk i detyron ligji të publikojnë në kohë reale gjatë fushatës financimet dhe drejtuesja e Open Data Albania mendon që kufirin midis të drejtës së saj dhe të partive ta zgjidhë në gjykatë.
“Partitë politike janë subjekte të të drejtës për informim. Ato janë organizime të cilat kanë një rëndësi të veçantë për transparencën dhe llogaridhënien.Në këtë kontekst, në muajin shtator do ti drejtohemi niveleve të gjyqësorit, tashmë jo me dëshirën për të pasur listën e shpenzimeve të donatorëve, sepse ndoshta ndërkohë edhe do ti marrim, por me dëshirën për të interpretuar në mënyrë gjyqësore, pra për të krijuar një model të doktrinës gjyqësore, nëse janë apo jo partitë politike të detyruara me ligj apo me Kushtetutë për të qënë subjekte të së drejtës së informimit.
Pra për t’ia dhënë publikut në kohë reale informacionin që kërkon.Është shumë e rëndësishme që publiku ta dijë kush janë donatorët,qoftë këta edhe donatorë lokalë,pra donator të cilët ofrojnë një dyqan, një ambient me qera për të bërë biseda, që ofrojnë të mira materiale, diku një drake, diku një eveninment elektoral me qëllim që nesër ta kenë të qartë që kush janë ata individë të cilët kanë dhuruar për partitë dhe në një farë mënyrë a do tentojnë këta të përfitojnë nga pushteti që partitë marrin përmes fushatave zgjedhore”.
Dhe vijmë tek roli i KQZ, në auditim që nga momenti i miratimit të kodit të ri në 2009.
“Çfarë ka ndodhur? Nëqoftëse në kohën kur ishte kryetar i KQZ-së Ilirjan Celibashi apo Arben Ristani kishte kishte praktika më të qarta, në faqen online të KQZ gjendej lista audituese e partive, lista e kryefinancierëve të partive, të dhëna të sakta të llogarive nga të cilat partitë prisnin të merrnin financim, në fushatën e fundit zgjedhore ky lloj informacioni që është detyrim ligjor, nuk ishte i rregulluar mire në faqen e KQZ.
Jemi në kohën limit të paraqitjes së audituesve në KQZ për auditimin e financimit të partive gjatë vitit 2014 dhe fushatës për zgjedhjet vendore të qershorit. Afati i parë skadoi për shkak të interesit të ulët.
“Përpjekjet për të filluar një proçedurë shorti me auditët përpara shpalljes finale të rezultatit të zgjedhjeve, është një përpjekje që nuk ka një bazë të mirëfilltë ligjore, por nga ana tjetër institucioni i auditimit, pra auditët e pavarur janë të rregulluar me ligj, selitë e tyre janë të deklaruara dhe do ishte e udhës të dërgohej kërkesë me shkrim për shprehje interesi nga KQZ, pranë secilit subjekt që ka të drejtë të marrë pjesë në short si auditues i partive. Kjo do jepte mundësinë e një proçesi më të rregullt që përkon një proçes më të rregullt dhe të përkojë me kriteret e transparencës dhe paanësisë”.
Dhe si te mos mjaftojë që proçedurat e auditimit jane thjesht çertifikuese dhe jo verfikuese të financimeve të partive, tani ka shumë gjasa që as kjo të mos ndodhë, ashtu siç ka shumë gjasa që nesër në ditën e skadimit të afatit për paraqitjen e audituesve në KQZ të gjendet një zgjidhje artificiale për të shpëtuar proçesin në minutën e fundit.
Sa e ndihmon kjo të vërtetën që kërkon shoqëria të dijë. Kjo është një tjetër çështje, që kërkon kohë dhe mund dhe nuk mund ti jepet një përgjigje e minutës së fundit.