Borxhi i jashtëm del jashtë kontrollit. Të dhëna shqetësuese pasqyrohen në grafikun për nivelin e borxhit që nga viti 2007, ku vihet re se gjatë muajve të parë borxhi është rritur me 331 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga “Open Data Albania”, organizatë e cila ka analizuar ecurinë e borxhit të jashtëm bruto dhe dinamikën e këtij borxhi në vitin e fundit. Bëhet fjalë për të gjithë borxhin e jashtëm që ka ekonomia, përfshirë atë publik dhe atë privat.
Sipas të dhënave në fund të tremujorit të parë të vitit 2015, vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 6.997,4 milionë euro. Gjatë këtij tremujori stoku i borxhit u rrit me rreth 331 milionë euro.
Në krahasim me fundin e tremujorit të parë të vitit 2014, stoku në tremujorin e parë të 2015 është rritur me 757 milionë euro. Duke bërë një krahasim të borxhit që nga viti 2007 shihet një trefishim i tij. Në 2007 niveli i borxhit të jashtëm bruto ishte 2.090,90 milionë euro, ndërsa në vitin 2005 ai është 6.997,40 milionë euro. Sa i përket viteve të tjera, në 2008-ën niveli i borxhit pësoi rritje me 47.3%, duke shkuar në nivelin 3.078,90 milionë euro.