Një studim i “Open Data Albania” zbardh se vetëm 0.8% e sipërmarrjeve në Shqipëri janë shoqëri aksionere ndërkohë që tregu dominohet tërësisht nga subjektet Person Fizik, të cilat përbëjnë 78% të totalit. Sipas ODA, për vitin 2014 pjesën më të madhe të subjekteve punëdhënëse e përfaqësojnë ato me 1 deri në 4 të punësuar me rreth 89.77% të totalit të përgjithshëm, ndërsa pjesën më të vogël e paraqesin subjektet me 50 e më shumë punonjës me rreth 1.31% të totalit të tyre.
Për tu theksuar sipas hulumtimit të ODA, është fakti se ndonëse përbëjnë pjesën më të madhe të të gjithë subjekteve Personat Fizik kanë pasur një rritje prej 0.82% në vitin 2014 kundrejt një rritjeje prej 2.88% të vitit 2013. Shoqëritë Anonime në vitin 2014 paraqiten me një rënie prej 0.68%. Shoqëritë e tjera ku përfshihen Shoqëritë Kolektive, Shoqëritë Komandite, Shoqëri të thjeshta, Shoqëri të Kursim Kreditit, Degë ose Zyra Përfaqësuese të shoqërive të huaja dhe Shoqëri të Bashkëpunimit Reciprok, paraqesin rritjen në vitet 2013 dhe 2014.
Kompanitë sipas qyteteve
Për sa i përket kategorizimit të subjekteve punëdhënëse ku bëjnë pjesë edhe Organizatat sikurse Administrata Publike, sipas shpërndarjes në qarqe kemi në vend të parë Tiranën e cila mban 43% të totalit me 49 467 subjekte e më pas janë Durrësi, Vlora dhe Fieri qarqe me më shumë se 8 % të totalit. Duhet të veçojmë faktin se për arsye të mos qëndrueshmërisë në të dhënat statistikore qeveritare, analizën do ta bëjmë për numrin total të subjekteve punëdhënëse duke përfshirë edhe Administratën Publike, OJF-të dhe Organizatat Ndërkombëtare pra jo thjesht subjekte mirëfilli me aktivitet ekonomik apo tregtar.
Për qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Korçë, Kukës, Lezhë dhe Vlorë ka pasur një rritje në numrin e subjekteve punëdhënëse. Për qarqet Durrës, Berat, Fier, Gjirokastër dhe Shkodër ka rënie të numrit të tyre në 2014. Durrësi ka performancën me negative ku në vitin 2014 janë 1021 subjekte punëdhënës më pak. Nëse në vitin 2013 në këtë qark funksiononin 10 599 subjekte punëdhënës në vitin 2014 janë vetëm 9578. Po në tregues negativ qëndrojnë qarqe si Shkodra me 499 subjekte më pak në 2014 dhe Berati me 255 subjekte punëdhënësve të 2014 më pak se viti pararendës.
Në total shtesa e subjekteve punëdhënëse në 2014 kundrejt 2013 është vetëm 1454 subjekte më shumë. Korça paraqitet me rritjen më të madhe të subjekteve punëdhënëse prej 8.67%  në vitin 2014 kundrejt vitit 2013. Po në përqindje Durrësi shënon 9.63% më pak subjekte punëdhënëse në 2014 kundrejt vitit pararendës.