Organizata jofitimprurëse “Instituti Shqiptar i Shkencave”, ka hedhur në gjyq Partinë Socialiste (PS), Partinë Demokratike (PD), Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit, të cilat i akuzon që nuk i kthyen përgjigje kërkesës zyrtare, lidhur me informacionin për financimin e tyre në fushatën elektorale të vitit 2015.

Kështu, tri parti politike do të qëndrojnë për herë të parë në krah të njëri-tjetrit në bankën e të pandehurve, shkruan Shekulli.

Instituti Shqiptar i Shkencave iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit i cili e rrëzoi pretendimin e tij, duke detyruar organizatën t’i drejtohej me padi Gjykatës Administrative, kompetente për të drejtën e informimit.

Deri më tani për këtë çështje janë zhvilluar dy seanca, në të cilën është paraqitur vetëm përfaqësuesi i Partisë Socialiste, ndërkohë që, seanca e radhës do të zhvillohet më 2 nëntor.