Duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike se blerja e disa dhjetra automjeteve të reja nga qeveria do sillte kosto shtesë prej 3 milionë euro për buxhetin e shtetit, portali qeveritar Transparenca.al saktësoi ditën e premte se këto automjete do të merreshin me qira financiare, e cila do të ishte më e lirë se kostoja aktuale e mirëmbajtjes së automjeteve në pronësi të qeverisë.
“Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare,” shtoi ajo.
Me gjithë pretendimet e Transparenca.al, transaksionet e thesarit të shtetit të kryera nga Aparati i Këshillit të Ministrave gjatë vitit 2014 nuk i mbështesin shifrat e publikuara.
Ndryshe nga sa pretendon Transparenca.al gjatë 2014, Kryeminstria ka bërë në total 3,302,809 lekë (€23,400) në shpenzime për mirëmbajtjen e mjeteve të transportit.
Kjo shifër është të afërsisht 30 herë më e vogël se shpenzimi i deklaruar nga Transparenca.al që përfshin amortizimin.
Pretendimi i Transparenca.al se kostoja e mirëmbajtjes dhe amortizimit të flotës së saj prej 22 makinash është mbi 600 mijë euro në vit duket se stonon. Në rast se këto makina kanë normë amortizimi prej 10 për qind në vit (norma e amortizimit të makinave zakonisht është 7.5 për qind në vit), atëherë shifra e pretenduar prej mbi 600 mijë eurosh sugjeron se vlera totale e 22 makinave të kryeministrisë është së paku 6 milionë euro, me vlerë për njësi prej 270 mijë eurosh.
Në botë, makinat që kushtojnë 270 mijë euro janë të pakta dhe nuk është e qartë nëse ndonjë nga makinat e kryeministrisë aktualisht ka një vlerë të tillë.