Për herë të parë tre parti politike janë palë e paditur në një proces gjyqësor. Organizata jo fitimprurësë Instituti Shqiptar i Shkencave ka hedhur në gjyq Partinë Socialiste, Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit.

Organizata ka kërkuar nga partitë informacion për financimin e tyre në fushatën elektorale të vitit 2015, por tre partitë nuk i janë përgjigjur kërkesës zyrtare. Instituti Shqiptar i Shkencave iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit i cili e rrëzoi pretendimin e tij. Kjo detyroi organizatën ti drejtohej me padi Gjykatës Administrative kompetente për të drejtën e informimit, raporton ABC.

Instituti Shqiptar i Shkencave mendon se partitë politike janë subjekt i aksesit për informacion. Drejtoresha ekzekutive Aranita Brahaj argumentin e mbështet në Kushtetutë.

Aktualisht në gjykatë për këtë çështje janë mbajtur dy seanca paraprake ku është paraqitur vetëm përfaqësuesi i Partisë Socialiste dhe një përfaqësues nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Seanca tjetër do të jetë më dy nëntor.