Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se nuk ka një makinë personale, pasi ka vetëm një makinë të shtetit.
Këto deklarime ai i bëri gjatë një interviste të tensionuar për Zërin e Amerikës.
Por në fakt çfarë ka deklaruar në pasurinë e tij Ilir Meta dhe e shoqja?
Në deklarimin zyrtar, publikuar nga Open Data, thuhet se çifti ka në pronësi një makinë, të blerë për 33 mijë euro në vitin 2005.
Jo vetëm kaq, por ata kanë deklaruar edhe disa apartamente, dy prej tyre 200 dhe 317 metra katrorë.
Më poshtë lexoni se cila është pasuria e tij.

Pasuri të paluajtshme
1) Apartament me sip. 200 m2, vlerë 400 000 euro, në Rr. “Brigada 8”, Tiranë. Burimi: 200 000 euro është financuar nga shitja e një shtëpie pushimi në Qerret, pjesa tjetër me kredi.
2) Apartament me sip. 99.5 m2, përfituar me privatizim, pa vlerë të specifikuar ku Znj. Kryemadhi zotëron 1/3, marrë me trashëgimi.
3) Apartament me sip. 75.5 m2, pa vlerë të specifikuar, përfituar me trashëgimi nga i ati. Znj. Kryemadhi zotëron 1/3.
4) Tokë me sip. 1200 m2, vlerë 5 000 000 lekë, ku 700 m2 janë blerë me të ardhurat e veta në vitin 2007, ndërsa pjesa tjetër është përfituar me dhurim në vitin 1995 nga i vëllai.
5) Kontratë sipërmarrje lidhur në vitin 2008 me kompaninë Agi-Kons shpk, pa vlerë të specifikuar, për ndërtimin e një godine në tokën me sip. 1900 m2.
6) Kontratë sipërmarrje me kompaninë Lura shpk, pa vlerë të specifikuar, për një apartament me sip. totale 317.33 m2.
7) Bashkëshorti, Z. Ilir Meta, deklaron se zotëron një apartament 2 dhoma e kuzhinë, përfituar nga privatizim, pjesa e Z. Meta 25%.
 
Likuiditete
1) Llogari bankare me vlerë 234 930 lekë.
2) Gjendje cash 21 000 euro.
3) Depozitë bankare 2 190 dollarë.
3) Kredi bankare me vlerë detyrimi të pashlyer 175 400 euro, marrë në vitin 2010 për blerje apartamenti.
4) Detyrimi për kartë krediti minus 600 euro.