Kryeministria hap dyer për punësim. Plot 303 vende të reja pune do ti shtohen këtij institucioni, ç’ka do të thotë se do punësohen 303 persona. Sipas Open Data Albania institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2016 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pavarësisht se kemi një rënie të madhe të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 38% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit.
Kryeministria është institucioni që ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve. Në vitin 2016 ky institucion do presë 303 punonjës të rinj. Shtesa në numrin e punonjësve do të ketë sërish Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me 177 punonjës, Ministria e Mbrojtjes me 247 punonjës, Ministria Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes me 148 punonjës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujerave me 128 punonjës. Shtesa në institucionet e tjera mbeten në nivele më të ulëta.