Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. 
Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra. 
Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliardë lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera.    
Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. 
Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurigjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të këtij viti për blerjen e votave. Në një investigim të TV “Channel One”, gazetarët kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.
Komisioni i Prokurimit Publik, një institucion që ka për detyrë të kontrollojë mirëmenaxhimin e parave publike ka zgjedhur tenderat si mënyrën më të mirë për të vjedhur votat dhe për t’i kompensuar kandidatit të majtë Safet Gjici shpenzimet e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të këtij viti. Në kohën kur Gjici garonte në fushatën zgjedhore nën siglën e PS përballë kandidatit të PD, Xhelal Mziu, institucioni i drejtuar nga Gentian Kërri i ka dhënë kompanisë “Eurogjici Security shpk”, plot dhjetë tendera, të cilët të përkthyer në shifra llogariten në 620 milionë lekë. 
10 tenderat që kushtojnë mbi 620 milionë lekë që Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë kompanisë “Eurogjici Security shpk”, vetëm gjatë periudhës së fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit. Pa llogaritur numrin total të tenderave që ka përfituar gjatë vitit të fundit kjo kompani. 
Ky skandal u denoncua nga opozita para pak kohësh. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD bëri të ditur para pak kohësh se, mbi 2.1 miliardë lekë i janë dhënë deputetëve dhe funksionarëve të lartë të PS pa tender, duke u ndarë me negocim.  
Vjedhja e 6.2 milionë eurove nga kompania e Gjicit
Banka e nivelit të dytë “Union Bank” që ndodhet tek Stacioni i Trenit në Tiranë u grabit nga tri persona me maska më 13 shkurt në mes të ditës rreth orës 12:40. Policia nuk dha asnjë njoftim për shumën e parave të grabitura, ndërsa mediat fillimisht publikuan lajmin se ishin grabitur mbi 1 milion euro, më pas 3 milionë dhe në përfundim rezultoi nga burime brenda bankës se, ishin grabitur plot 6.2 milionë euro. Mediat publikuan dy ditë pas ngjarjes disa video, ku tregohej qartë skema e grabitjes së bankës të nivelit të dytë “Union Bank”. 
Në video shfaqen 3 grabitës dhe duket momenti, kur grabitësit marrin 4 thasë me para. Grabitësit qëllojnë me shpullë njërin nga rojet e sigurisë së bankës, ndërsa dy rojet e tjerë rrijnë e vështrojnë dhe nuk ndërhyjnë për të ndaluar grabitësit që morën 4 thasë me para. Autorët vrapojnë dhe largojnë personat që janë në rrugë. Në orën 12 e 45 minuta, një punonjës i bankës pranë Stacionit të Trenit, i shoqëruar nga dy roje të sigurisë del nga ambientet e pasme me katër thasë me para. Sapo kalojnë në korridorin e ngushtë, që i nxjerr në sheshin para bankës. 
Në pamjet e videos dukej qartë sesi grabitësit turren me vrap drejt personelit që transporton thasët me para, ndërsa rojet nuk veprojnë. Makina që do të transportonte paratë është regjistruar nga një tjetër kamer sigurie. Në orën 12 e 43 minuta, grabitësit hapin zjarr në ajër, duke u sulur mbi punonjësin e bankës që mbante paratë dhe eskortën e shoqërimit. Dy nga rojet e sigurisë tentojnë të largohen menjëherë sapo dëgjojnë të shtënat. 
Në këtë moment, grabitësit arrijnë të neutralizojnë personin që mbante thasët me para dhe një prej rojeve të sigurisë. Pasi marrin në dorë 4 thasët, ku mendohet se ndodheshin rreth 6.2 milionë euro, ata largohen bashkë me një prej rojeve të sigurisë, duke përdorur mjetin tip “Land Rover” të eskortës së sigurisë së bankës. E gjithë skena ndodhi brenda 1 minute dhe të linte të kuptohej se ishte parapërgatitur.