Tirana rezulton njësia vendore që ka numrin më të lartë të shpalljeve për prokurime publike për periudhën Korrik-Dhjetor 2015.
Referuar një studimi të “Open Data” lidhur me prokurimet publike të kryera nga njësitë e reja vendore, rezulton se gjatë periudhës 27 Korrik -7 Dhjetor 2015, njësia e kryeqytetit ka bërë shpallje për 27 procedura. Pas Tiranës, në renditje për numrin e shpalljeve vjen Durrësi.
Megjithëse Tirana është njësia vendore me më shumë shpallje, sipas studimit, vlerën më të lartë të Fondit Limit të shpallur për prokurime publike e ka bashkia Durrës me 862 milion lekë për 26 prokurime të shpallura. Nga ana tjetër, janë 4 Bashki të cilat nuk kanë njoftuar asnjë procedurë për prokurime publike. Kruja, Pusteci, Finiqi dhe Delvina rezultojnë me zero procedura të shpallura në Buletinin e Prokurimeve Publike.
Këto Bashki nuk kanë njoftuar blerje mallrash, realizim të punëve publike apo të shërbimeve të tilla. E sa i përket performancës në përfundimin e procedurave dhe shpalljen e lidhjen e kontratës, kryesojnë Bashkia Korçë dhe Elbasan të cilat kanë 11 finalizime  secila.