Duket se kryetarët e bashkive i përkasin shtresave më të pasura në hierarkinë e zyrtarëve publikë në Shqipëri. 46 kryetarë bashkish zotërojnë në total 317 prona të patundshme, me një mesatare prej 7 pronash për secilin prej tyre.
Të dhënat vijnë përmes portalit Open Data Albania, e cila ka analizuar strukturën dhe vëllimin e aseteve të patundshme që zotërohen nga kryebashkiakët e zgjedhur për mandat drejtues 2015 – 2019.
Nga këto 317 prona 141 rezultojnë të jenë banesa; 50 troje; 46 toka bujqësore kullota dhe pyje; 72 ambiente shërbimi si dyqane, zyra dhe parkingje. Rezulton se janë vetëm 2 kryebashkiakët që deklarojnë që nuk kanë asnjë pronë të patundshme nën zotërim apo pronësi.
Numri i kryebashkiakëve që kanë 0 deri 3 prona të patundshme është 15, me 4 ose 5 prona të patundshme rezultojnë 14, me 6 deri 10 prona të patundshme 9 kryebashkiakë.
Sipas kësaj analize të Open Data Albania, rezulton se 6 kryebashkiak kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale, familjare apo të regjimit martesor.
Këta janë: Basir Çupa, Bashkia Klos; Eduart Kapri, Bashkia Pogradec; Fiqiri Ismaili, Bashkia Vorë; Gjon Gjonaj, Bashkia Pukë; Majlinda Bufi, Bashkia Roskovec dhe Tonin Marinaj, Bashkia Malësi e Madhe.
Këtu mund të vendosej edhe kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar si pronë të vetme një pallat 11 katësh.
Për sa i përket vlerësimit në të holla të pasurive të patundshme, rezulton se 25 kryebashkiakë vetë deklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, dhe janë 11 kryebashkiakë që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.