Megjithëse kanë vetëm 1 vit në krye të institucioneve që drejtojnë, mbi 70 përqind e tyre rezultojnë me prona pasanikësh. Bëhet fjalë për kryebashkiakët e vendit tonë, të cilët zotërojnë mesatarisht 7 prona secili. Nga 61 kryebashkiakë të zgjedhur për mandat drejtues 2015 – 2019, Open Data Albania ka marrë në analizë 46 kryebashkiakë me deklarime të plota të pasurisë nga viti i parë i marrjes së një mandati deri në vitin 2015. Për këta kryebashkiakë rezultojnë nën zotërim së bashku me anëtarë të familjes në total një numër prej 317 prona të patundshme në pronësi.

Mesatarja e pronave për çdo kryebashkiak është 7. Nga këto 317 prona 141 rezultojnë të jenë banesa; 50 troje; 46 toka bujqësore kullota dhe pyje; 72 ambiente shërbimi si dyqane, zyra dhe parkingje. Këto prona të patundshme janë të deklaruara që ndodhen në territorin e vendit, dhe vetëm për një rast kryebashkiaku i Cërrikut, Altin Toska ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 85 metra katror, një garazh me sipërfaqe 25 metra katror dhe një kantinë me sipërfaqe 8 metër katror në Brescia, Itali. Në analizën e Open Data, janë vetëm 2 kryebashkiakë që deklarojnë që nuk kanë asnjë pronë të patundshme nën zotërim apo pronësi.

Numri i kryebashkiakëve që kanë 0 deri 3 prona të patundshme është 15, me 4 ose 5 prona të patundshme rezultojnë 14, me 6 deri 10 prona të patundshme 9 kryebashkiakë. Sipas kësaj analize të Open Data Albania, rezulton se 6 kryebashkiakë kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale, familjare apo të regjimit martesor. Këta kryebashkiakë janë; Basir Çupa, Bashkia Klos; Eduart Kapri, Bashkia Pogradec; Fiqiri Ismaili, Bashkia Vorë; Gjon Gjonaj, Bashkia Pukë; Majlinda Bufi, Bashkia Roskovec dhe Tonin Marinaj, Bashkia Malësi e Madhe. Këtu mund të vendosej edhe Kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar si pronë të vetme një pallat 11 katësh. 


Vlera e pasurisë   
Në lidhje me vlerat monetare të këtyre pronave, nuk mund të përllogariten me saktësi sa kohë që këto prona kanë kryesisht specifikime vlere sipas çmimeve të tregut në vite të ndryshme. Vlerat janë vetë deklaruar sipas proceseve të legalizimeve, momentit të privatizimeve apo blerjeve të hershme. Deklarimi i pasurisë nuk detyron palët të bëjnë deklarime sipas çmimeve të referencës për sipërfaqe ndërtimi apo terreni në pronësi. Kjo praktikë në kushte të një tregu me shumë dinamikë në vitet e fundit, bën të pamundur një vlerësim real. Duke konsideruar vlerat e vetë deklarimit rezulton se 25 kryebashkiak vetë deklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 kryebashkiakë vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, dhe janë 11 kryebashkiakë që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.
Interesante paraqiten deklaratat e disa kryebashkiakëve të cilët zotërojnë njëkohësisht katër kategoritë e pronave banesa; troje sipërfaqe ndërtimi; toka bujqësore kullota dhe pyje; dhe ambiente shërbimi si dyqane zyra dhe parking. Kryebashkiakë që zotërojnë dhe kanë në pronësi të katërta këto kategori janë: Basir Çupa, Fatos Tushe, Fiqiri Ismaili, Gjon Gjonaj, Jorgo Goro, Përparim Shametaj dhe Rajmonda Balilaj dhe Qazim Sejdini. 
Burimi i pasurisë   
Në element tjetër i hulumtimit të Open Data Albania është edhe burimi i deklaruar i pasurisë. Autorë të artikullit kanë vlerësuar disa kategori si burimi i të ardhurave apo mënyrës së fitimit të pasurisë. Konkretisht është bërë kategorizimi në blerje me Të Ardhura nga Puna apo Biznesi i deklaruar, zakonisht këto vërtetohen me bordero ose me pasqyra financiare; Legalizim Prone; Privatizim; Me Çelje Trashëgimie si trashëgimi ligjore apo testament; Kredi Bankare dhe Borxhe tek të Tretë; Dhurata; Të ardhura nga Emigracioni i Ligjshëm apo Klandestin; fituar me Ligjin 7501 Për Ndarjen e Tokave Bujqësore dhe prona të fituara me Kthim dhe Kompensim të ish Pronarëve. Analiza evidenton edhe Prona për të cilat nuk specifikohet burimi i fitimit në Deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI. Kjo praktikë e parregullt është evidente në disa deklarime sipas subjekteve. Deklarojnë se kanë krijuar pasuri me të ardhura nga emigracioni 5 kryebashkiakë. Pasuri që lindin nga Trashëgimia shënohen në 7 raste kryebashkiakësh, 23 kryebashkiak deklarojnë prona nga të ardhura të siguruara me punë dhe 10 raste janë prona të fituara me privatizime. Prona për të cilat në deklaratë nuk specifikohet burimi janë 24.