Ja si po i shumëfishon paratë Genc Ruli. Noka blen makinë 40 mijë euro në 2015

Humbja e pushtetit është reflektuar në deklaratat vjetore të pasurisë, të disa prej ish-ministrave të qeverisë “Berisha”. Tre vjet pas largimit nga pushteti, rezulton se të ardhurat kryesore të disa ish-ministrave të Berishës vijnë nga gratë e tyre. Ata deklarojnë paga deri në 40 mijë euro dhe depozita qindra mijëra euro në emër të bashkëshorteve. Edhe pse ka një dosje në prokurori për fshehje pasurie, ish-kryefinancieri Ridvan Bode thotë se, të ardhurat kryesore i kanë ardhur nga aktiviteti i bashkëshortes, Jola Bode.

Në emër të bashkëshortes, Bode deklaron të ardhura nga obligacionet 1,200,000 lekë, tre llogari rrjedhëse shtuar me 2,052 lekë dhe 299,592 lekë. Po ashtu, Bode deklaron të ardhura nga paga e bashkëshortes si pedagoge në Universitetin e Tiranës, 1,905,000 lekë, të ardhura po të bashkëshortes nga bonot e thesarit, 213,000 lekë si dhe të ardhura nga depozita, 46,000 lekë.

​Ish-ministri i Financave deklaron pagën e tij si deputet 2,436,00 lekë dhe një kredi për blerje makine, nga e cila ka shlyer 11 mijë euro. Ridvan Bode, në deklaratën e pasurisë, dorëzuar pranë ILDKP, deklaron gjithashtu disa llogari dhe pagat e fëmijëve. Ish-kryefinancieri i ka punësuar fëmijët, njërin në Bankën e Shqipërisë dhe tjetrin në një kompani private.

Myqerem Tafaj

Ish-ministri Arsimit, Myqerem Tafaj, i akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre, por i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, ka deklaruar 41 mijë euro të ardhura nga puna e gruas si mjeke në Gjermani. Tafaj deklaron gjithashtu se një llogari bankare e gruas së tij është shtuar me 11 mijë euro gjatë vitit 2015. Ish-ministri Arsimit deklaron shtimin e një llogarie bankare me 1,319,941 lekë, kryesisht nga paga e tij si deputet dhe një llogari në emër të vajzës, shtuar me 127,761 lekë.

Florjon Mima

Ish-ministri i Ekonomisë, Florjon Mima, deklaron 37 mijë euro pagën e bashkëshortes. Po në emër të bashkëshortes, Mima deklaron të ardhura nga interesat bankare 23 mijë euro. Gjithashtu, zonja një fjalë deklaron shtimin e një depozite në shumën 80 mijë euro, 18,400,000 lekë bono thesari, shtim obligacionesh 31,218,120 lekë, pakësim depozitash 78 mijë euro dhe 55 mijë euro, shtim llogarie 6.7 mijë euro etj. Ajo deklaron se ka shlyer 7 mijë euro detyrime për dy garazhe, tek shtëpia dhe vendi i punës. Ish-ministri i Ekonomisë deklaron se ka shlyer një detyrim prej 4 mijë eurosh gjatë viti 2015, për shtëpinë në Gjirin e Lalzit. Po ashtu, Mima ka marrë edhe një kredi 50 mijë euro, për t’i blerë një zyrë vajzës në Tiranë. Nga koj kredi, Mima ka shlyer 4.3 mijë euro. Florjon Mima deklaron gjithashtu 26 mijë euro paga nga punësimi i vajzës dhe i djalit në Itali.