Shteti shqiptar shpenzon shuma të konsiderueshme për subjekte private për të siguruar mbrojtjen e gjithanshme të institucioneve shtetërore.

Madje, shuma që shpenzohet për këtë qëllim ja kalon asaj që përdoret nga buxheti i shtetit për të financuar veprimtarinë e aparatit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas Open Data, që hedh dritë mbi sasinë dhe shumat e transaksioneve të kryera nga thesari, rezulton nga data 1 janar 2015 deri në datën 1 korrik 2016 (18 muaj), nga Thesari i Shtetit për këtë kategori janë paguar 1.980.664. 232 lekë, përmes 5.352 transaksioneve ose 14.5 milionë euro.

Sipas Shqiptraja.com, në të njëjtën kohë,  aparati i Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në total për 18 muaj ka shpenzuar nga buxheti 1.395.565.032 lekë.

Kompania me vlerën më të lartë të transaksioneve për këtë kategori shpenzimi rezulton Eurogjici me 254 transaksione, në vlerë totale 146.635.539 lekë, pasuar nga Trezhnjeva 142.602.762 lekë nga 221 transaksione. Në vlerën e transaksioneve mbi 100 milionë lek të reja qëndrojnë edhe kompani si Tony-Security dhe Kumria.