Deficiti Buxhetor përcaktohet si një gjendje financiare, në të cilën shpenzimet tejkalojnë të ardhurat. Prej vitesh, Deficiti ka qenë karakteristikë e qeverive, situatë që ka rezultuar në rritje të vazhdueshme të stokut të borxhit. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim nivelin e Deficitit të vendit tonë në vitet 1993-2016.



Burimi: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, INSTAT   
Përpunimi dhe komentet: ODA   

Zhvillimet e vrullshme në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 bën që ekonomia shqiptare të gjendej me një tkurrje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rënie të të Ardhurave Buxhetore dhe rritje të Deficitit. Reformat strukturore të ndërmarra në vitet 1993-1996 dhe bashkëpunimi me institucione të ndryshme ndërkombëtare mundësuan përmirësimin dhe ringritjen e ekonomisë. Megjithatë, Deficiti Buxhetor pësoi një rritje të vazhdueshme deri në vitin 1997, ku shënoi 44.5 miliardë lekë apo 13.2% e PBB-së.

Periudha pas vitit 1997 u shoqërua me një sërë reformash strukturore dhe masash për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, të cilat mundësuan rënien e Deficitit dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Qeveria po merrte masa të forta për konsolidimin e financave publike dhe çdo mosrealizim në të ardhura u shoqërua me tkurrje të shpenzimeve, në mënyrë që të mbahej deficiti brenda niveleve të parashikuara. Duhet theksuar se një ndihmë të madhe në rritjen e të ardhurave dhe forcmin e financave dha edhe ndryshimi i nivelit të TVSH-së në vitin 1997, nga 12.5% në 20%, i cili u shoqërua me uljen e deficitit në vitet e mëpasshme. Në vitin 2005 Deficiti ishte 29.3 miliardë lekë apo 3.6% e PBB-së.

Vitet 2006-2010 u karakterizuan nga zhvillime pozitive për ekonominë shqiptare, të shoqëruara me një politikë fiskale agresive. Nga 29.3 miliardë që ishte në vitin 2006, Deficiti thuajse në dyfishua në 2008-n në 60.2 miliardë lekë, për të arritur pikun në vitin 2009 me 80.82 miliardë lekë apo 7% e PBB-së. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e dha huamarrja për financimin e projektit ‘Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash’.


Burimi: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, INSTAT   
Përpunimi dhe komentet: ODA   

Duke nisur nga viti 2010, qeveria po merrte masa për përmirësimin e treguesve fiskal, në mënyrë të veçantë të Borxhit dhe Deficitit Fiskal. Në këtë vit, Deficiti u ul me 53% krahasuar me vitin 2009 dhe ishte në kufirin e 3.11% e PBB-së. Ky trend vijoi edhe në vitet 2011-2012. Viti 2013, si vit elektoral, u shoqërua me probleme në realizimin e të ardhurave, fakt që nuk u reflektua në ulje të lartë të shpenzimeve, duke rezultuar në rritje të deficitit nga 3.4% të PBB-së që ishte parashikuar në fillim të vitit, në 5.16% të PBB-së.

Pavarësisht nevojës për konsolidiminin e borxhit dhe deficiti fiskal, viti 2014 u prezantua me një Deficit thuajse në të njëjtat nivele si në vitin 2013, 72.1 miliardë lekë apo 5.1% e PBB-së. Kjo situatë, sipas qeverisë, lidhej me domosdoshmërinë për njohjen dhe shlyerjen e borxheve të prapambetura, të cilat dhanë efektin e tyre në rritjen e Shpenzimeve Totale të buxhetit. Nga 6.57% e PBB-së që ishte parashikuar në fillim të vitit, 2014-a u mbyll me një Deficit 5.1% të PBB-së, i shkaktuar kryesisht nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale.

Në vitet 2015-2016 vihet re një përpjekje për uljen e deficitit nga 3.7% në 2015-n në 2.16% në 2016-n. Në vitin 2015 kjo u mundësua nga rishikimi i vazhdueshëm i buxhetit, ku mosrealizimi i të ardhurave u mundua të rregullohet nëpërmjet uljes së shpenzimeve. Pavarësisht se kjo politikë mundësoi kontrollin e vazhdueshëm të Deficitit, ajo flet për një mungesë të aftësisë buxhetuese dhe menaxhimit të financave publike.

2016-a shfaqet si një vit tepër sfidues nga këndvështrimi i mbajtjes së Deficitit në nivelin e parashikuar. Shifrat e buxhetit fillestar flasin për një rritje të shpenzimeve totale, e cila është reflektuar vetëm në shpenzimet korrente, pasi investimet janë në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Kjo qasje e qeverisë të konsolidimit financiar nëpërmjet tkurrjes së investimeve publike paraqitet me shumë risk, pasi rrezikon zhvillimin ekonomik të vendit për periudhat e ardhshme.

Kontribuoi: Blerta Zilja