Saimir Tahiri u detyrua të gënjejë publikisht mbrëmjen e të mërkurës, pasi doli lajmi për abuzimet me tenderin e uniformave. Abcnews publikoi disa të dhëna kompromentuese për tenderin me vlerë 1 miliard lekë. Veshjet që u prodhuan për efektivët e policisë ishin me cilësi të dobët. Hetimet nxorrën në dritë edhe gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm që fliste për uniforma të prodhuara në Turqi, kur në fakt këto ishin prodhuar në Durrës. Mbrëmjen e të mërkurës, Tahiri shpërndau një njoftim për mediat, jo për të sqaruar, por për të mashtruar. Në njoftim thuhej se kompania fituese Marsi&AL nuk kishte marrë para nga buxheti i shtetit, sepse problemet me uniformat e policisë ishin konstatuar në kohë.
“Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit” njoftoi zyra e shtypit e Tahirit. Gënjeshtra nuk i zgjati as 24 orë. Open Data Albania publikoi një faturë pagese nga Thesari i Shtetit, që provon të kundërtën.
Duket qartë se kompanisë “Marsi & AL” i është paguar më 24 maj të këtij viti, një shumë prej 22 milion lekësh të reja për uniformat dhe veshjet speciale. Pagesa është bërë nga thesari për llogari të Qendrës së Furnizimit të Materialeve Teknike që është në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Saimir Tahiri nuk gënjeu vetëm një herë. Në njoftimin e policisë së shtetit thuhet se policia po përgatit dokumentat që të përjashtojë këtë kompani nga tenderat publikë për tre vjet.
Open Data Albania” ka publikuar të dhëna, sipas të cilave institucione të ndryshme shtetërore që nga 1 janari 2015 deri më 19 shtator 2016, kanë derdhur në llogarit bankare të kompanisë Marsi & AL një shumë prej rreth 700 mln lekëve.
Policia pretendon se kontrata me këtë kompani është ndërprerë në kohë, në datën 2 shtator, por kjo datë rezulton se është pas nisjes së hetimeve nga prokuroria.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë shpallur fitues kompaninë shqiptaro-turke. Abcnews raporton se kompania u shpall fituese pa plotësuar kriterin kryesor të tenderit, që është çertifikata e cilësisë. Njerëzit më të afërt të Saimir Tahirit në Minsitrinë e brendshme janë në hetim për një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në këtë dikaster. Gënjeshtrat e vogla me të cilat po përpiqen të kalojnë këtë aferë provojnë se janë kapur gafil dhe se janë përfshirë nga paniku.