Zbardhet pasuria e 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe të ardhurat që ata kanë deklaruar si fitim gjatë një viti kalendarik.
Sipas të dhënave të “Open Data Albania”, lista e pasanikëve të Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2015 vazhdon të kryesohet nga deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, i cili ka deklaruar rreth 130 milionë lekë si fitime.
Ndërkohë që, sipas klasifikimit të kësaj organizate, rezulton se deputetja që ka deklaruar më pak të ardhura është Mirela Ferracaku. Në total, gjatë një viti deputetët shtojnë 11 milionë USD. Deputetja e PKD-së në vitin 2015 mori mandatin si pasuese në listë e Mark Frrokut, kjo me gjasa është një ndër arsyet pse ka ndikuar në deklarimin e paktët të fitimeve.
Lista e “bosëve” të Kuvendit vazhdon me të dytin në listë, ai është ish-ministri i Ekonomisë, aktualisht deputeti i PS-së, Anastas Angjeli. Sipas deklarimit vjetor që Angjeli ka bërë pranë ILKDP-së, rezulton të ketë pasur një fitim vjetor prej 58 milionë lekësh të rinj në vit.
Në këtë total janë përfshirë paga dhe shpërblimet si deputet, të ardhurat nga interesat bankare, të ardhura si pjesëtar në borde, të ardhura nga biznesi, si dhe paratë e deklaruara nga bashkëshortja e nga bizneset e fëmijëve.
Lista e pasanikëve vijon me të tretin, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ish-kreu i demokratëve, aktualisht deputet i thjeshtë, ka deklaruar se të ardhurat gjatë vitit 2015, duke përfshirë dhe fitimet e familjarëve, arrijnë në total 55 milion lekë të rinj.
Me të ardhura të majme rezulton dhe ishdeputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, i cili la mandatin për të kandiduar për Bashkinë e Dibrës. Shehu ka deklaruar gjatë vitit 2015, 40 milionë lekë fitime.
I pesti në listë është deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Omer Mamo. Ai ka faturuar nga qiratë e banesave, ambienteve apo shitja e apartamenteve plot 34 milionë lekë.
Pas Mamos, në vendin e 6-të renditet deputeti PD-së, Astrit Veliaj, edhe ky i fundit ka marrë fitime të konsiderueshme nga bizneset dhe nga qiratë e pronave të paluajtshme ai ka deklaruar si fitim rreth 29 milionë lekë.
Kreu i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar fitime të konsiderueshme gjatë vitit 2015.
Financat e Ruçit gjatë vitit të shkuar kanë njohur një rritje prej 22 milionë lekësh të rinj. Në këtë shumë llogariten edhe fitimet e pagave dhe bizneseve të fëmijëve. Edhe Namik Dokle është në listën e deputetëve me të ardhura të larta.
Duke llogaritur dhe deklarimet e familjarëve, Dokle rezulton të ketë një fitim prej 18 milionë lekësh në vit. Lista e pasanikëve vijon më tej me deputetët e PS-së, LSI-së dhe PD-së.
Nga renditja, Edi Rama renditet në numrin 33 të deputetëve me të ardhura të larta vjetore.