Deputetëve të maxhorancës, qëndrimi në pushtet rezulton se u sjell të ardhura të mëdha në buxhetet e tyre familjare. Kështu, në bazë të deklaratave të pasurisë që 140 deputetët e Parlamentit Shqiptar kanë deklaruar pranë ILDKP-së, rezulton që deputetët e Partisë Socialiste të kenë fituar vetëm gjatë vitit që lamë pas 598.169.771 lekë, shkruan “Panorama”.
Të dhënat e publikuara nga “Open Data Albania” tregojnë se në krye të listës së deputetëve që fitojnë më shumë në radhët e maxhorancës është deputeti i Shkodrës, Tom Doshi.
Deputeti i shumicës ka deklaruar për vitin 2015 rreth 130 milionë lekë fitime, shumë e cila e kalon me tri herë totalin e fitimeve të deputetëve të Grupi Parlamentar të PDIU-së. Deputetët e kësaj force politike në total kanë deklaruar se gjatë 2015 kanë fituar 47.550.252 lekë të rinj.
Listën e “pasanikëve” të maxhorancës e plotësojnë me fitimet e shumta të deklaruara deputetët Anastas Angjeli, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Olta Xhaçka, Artan Gaçi, Fidel Ylli etj. Teksa të ardhurat e tij deputeti Tom Doshi i ka arsyetuar me fitimet e marra nga bizneset që ka në zotërim, deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar të PS-së deklarojnë të tjera burime nga ku i kanë përfituar të ardhurat.
Deputeti i PS-së, Anastas Angjeli, i cili pozicionohet i dyti në listën e “pasanikëve” të Kuvendit rezulton të ketë pasur një fitim vjetor prej 58 milionë lekësh të rinj në vit. Në këtë total janë përfshirë paga dhe shpërblimet si deputet, të ardhurat nga interesat bankare, të ardhura si pjesëtar në borde, të ardhura nga biznesi, si dhe paratë e deklaruara nga bashkëshortja e nga bizneset e fëmijëve.
Ndërkohë, deputetët e Grupit Parlamentar të LSI-së rezulton të kenë deklaruar fitime përgjatë vitit 2015 një shumë totale prej 146.426.254 lekësh.
Listën e LSI-së me më shumë të ardhura e kryeson deputeti Shkëlqim Selami, i ndjekur nga Piro Kapurani, Gjovalin Kadeli dhe më pas kreu i LSI-së, Ilir Meta. Kreu i Kuvendit ka deklaruar se në 2015 ka pasur një rritje të të ardhurave, për shkak të shitjes së një apartamenti.
OPOZITA
Në total deputetët e opozitës kanë fituar 371.466.247 lekë gjatë vitit 2015. Lista e demokratëve kryesohet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha ka deklaruar se të ardhurat gjatë vitit 2015, duke përfshirë dhe fitimet e familjarëve, arrijnë në total 55 milionë lekë të rinj.
Me të ardhura të majme rezulton dhe ishdeputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, i cili la mandatin për të kandiduar për Bashkinë e Dibrës. Shehu ka deklaruar gjatë vitit 2015, 40 milionë lekë fitime. Lista e “opozitarëve” me të ardhura të larta pasohet nga deputetët Astrit Veliaj, Florion Mima, Eduard Selami etj.