Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami i rikthyer në Shqipëri pas disa vitesh emigrimi në SHBA, është pronar me 50% i dy bizneseve në Amerikë.
Pavarësisht aktivitetit të tij politik në Shqipëri, Selami nuk është shkëputur nga dy aktivitetet private që zotëron në SHBA.
Bëhet fjalë për kompaninë “Librazhd L.L.C” në Framingham, Massachusetts si edhe për kompaninë “Alba Taxi L.L.C” në Virginia Beach.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data”, që i referohen deklaratës së të ardhurave të bërë nga vetë deputeti demokrat, rezulton se Selami nga të dyja këto kompani ka fituar vitin e kaluar 56 mijë dollarë.
Ndërkohë “News 24” ka mundur të sigurojë edhe ekstraktet e regjistrimit të këtyre kompanive private në SHBA. Konkretisht firma “Librazhd L.L.C” ka për menaxher kryesor Rudolf Selamin.
Ndërsa kompania tjetër “Alba Taxi LLC” ku është aksioner deputeti i PD-së mësohet se përveç shërbimit taksi ofron edhe makina me qira. Në të dyja firmat, Selami është aksioner 50%.
Përveç tyre, deputeti demokrat ka edhe pasuri të paluajtshme në SHBA,  shtëpi banimi me vlerë 252 mijë dollarë në Virginia Beach, të blerë në vitin 2005, siç sqaron ai, me kredi.
Po në Virginia Beach ai ka në pronësi edhe një tjetër shtëpi me vlerë 156 mijë USD, të blerë po me kredi sipas deklarimit.