Open Data Albania po hulumton mbi trendin dhe vëllimin e veprave penale me sfond elektoral në Shqipëri në dhjetë vjeçarin e fundit. Të dhënat janë bazuar në Vjetarë Statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë. Kodi Penal aktual përmban dymbëdhjetë nene, ku parashikohen krime dhe kundravajtje penale që cenojnë proceset zgjedhore. Vetëm në vitin 2012 janë shtuar nga ligjvënësi katër nene me parashikime për vepra penale me sfond elektoral.

Respektivisht në kodin penal janë disa nene që parashikojnë vepra penale kundër zgjedhjeve të lira dhe sistemit zgjedhor demokratik: Neni 325 Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese; Neni 326 Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve; 326 pika a Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor; Neni 327 Shkelja e fshehtësisë së votimit; 327 pika a Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar; Neni 328 Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve; 328/a Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike; Neni 329 Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje; Neni 330 Pengimi i Zgjedhësit; 330/a Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Neni 331 Shkelja e së drejtës së zgjedhjes; Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak. Procedimet gjyqësore mund të iniciohen edhe në bazë të Kodit Zgjedhor, i cili në dispozitat e tij detajon vepra penale, të cilat referohen nga Kodi Penal.

Veprime të dënueshme sipas Kodit Zgjedhor janë Dëmtimi i qëllimshëm ose nxjerrja e vulës jashtë qendrës së votimit (Neni 103), Refuzimi për të numëruar kutinë e pranuar si të rregullt (Neni 115) , Lejimi i një zgjedhësi të votojë më shumë se një herë ose në emër të zgjedhësve të tjerë (Neni 106).
Në vitin 2007, janë iniciuar në sajë të Kodit Zgjedhor 55 procedime gjyqësore dhe 55 të dënuar, ndërsa në vitin 2011 është iniciuar 1 procedim gjyqësor dhe 9 të dënuar.

Në Shqipëri, në dhjetë vitet e fundit, janë zhvilluar gjashtë procese zgjedhore të përgjithshme dhe lokale. Sipas statistikës zyrtare të gjyqësorit, gjatë këtyre gjashtë proceseve elektorale, janë proceduar në total për krime dhe kundravajtje penale me sfond elektoral 86 raste të shoqëruara me 137 të dënuar. Bazuar në parashikime të Kodit Zgjedhorë janë iniciuar në total 54 procedime me 64 të dënuar.

Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2015
Koment: ODA


Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2015
Koment: ODA

Vepra penale, e cila është konsumuar më shumë gjatë proceseve zgjedhore në dekadën e fundit, është Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve . Kjo vepër penale përkon me nenin 326 të Kodit Penal . Në dhjetë vitet e fundit, për këtë nen janë shënuar 17 procedime gjyqësore dhe 56 të dënuar. Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve kryhet me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimin e të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme.

Paragrafi i dytë, i nenit 326 parashikon rrethanat cilësuese kur kjo vepër kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cënuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre. Legjislatori ka parashikuar masë dënimi për këtë vepër penale nga 3 deri në 7 vjet.

Veprat e tjera penale, të cilat parashikohen në këtë seksion paraqesin shifra relativisht të ulta për raste të proceduara nga gjykata dhe autorë të dënuar. Gjatë viteve 2005-2015, Shkelja e fshehtësisë së votimit ka shënuar 7 autorë, Pengimi i subjekteve zgjedhore ka shënuar 5 autorë.

Për disa vepra të tjera penale, nuk është shënuar asnjë procedim gjyqësor, për shembull Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar, Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike, Pengimi i zgjedhësit, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve dhe Shpërdorimi i autoritetit ushtarak.

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak bëhet me qëllim për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, përmes dhënies se urdhrave, këshillave apo me çfarëdo lloj propagande.


Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2015
Koment: ODA

Subjekt i veprave penale me sfond elektoral mund të jetë edhe ai i posaçëm, si persona përgjegjës për administrimin zgjedhor, punonjësit qe kanë funksione shtetërore, ata të cilët kanë detyra në arsimin publik, jopublik dhe ushtarakët.

Vepra penale, për të cilën legjislatori ka parashikuar sanksionin më të ashpër është Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor në rrethana të cilësuara, i cili përkon me nenin 326/a, paragrafi i dytë. Për nenin 326/a, paragrafi i dytë, Kodi Penal ka parashikuar dënim me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Një fenomenit si blerja e votës, i raportuar nga qytetarët, vëzhguesit vendor dhe ata ndërkombëtar në procese të fundit zgjedhore, përkon me veprime të parashikuara në nenin 328, Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve. Në këtë nen parashikohet se ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Sanksioni i parashikuar për këtë veprimtari me rrezikshmëri të lartë është tepër i ulët ku maksimumi i dënimit është dy vite.

Kontribuoi: Kejsi Kosta