Livia Nikolla, vajza e ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, u bë e njohur për median dhe publikun pak kohë më parë pasi nëna e saj tha se ndihej krenare për të bijën që studionte në Francë me rezultate të shkëlqyera. Por duket se pas përfundimit të studimeve në vendin europian, ajo ka vendosur të kthehet në vendin tonë për të punuar.
Së fundmi mësohet se ajo ka gjetur punë në Bankën e Shqipërisë, konkretisht si specialiste në Departamentin e Stabilitetit Financiar të BSH-së. Kjo është bërë e ditur nga vetë ministrja Nikolla në deklarimin e të ardhurave të saj, ku vetëm Livia ka një shumë të ardhurash prej 886.056 lekësh.
Përpos vajzës me këto të ardhura, në punë është edhe bashkëshorti i Linditës, Ligor Nikolla, i cili ka punuar si dekan me një pagë prej 1.224.744 lekë. Prej 2 muajsh, Nikolla është lëvizur nga pozicioni i punës si ministre Arsimi, por me kabinetin e ri qeveritar me shumë gjasa do të rikthehet në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.