Duke qënë së në deklaratat vjetore që depozitojnë çdo vit në ILDKP, ministrat janë të detyruar të deklarojnë edhe të ardhurat dhe vendet e punës së familjarëve të tyre, Open Spending Albania zbulon edhe vendet e punës së bashkëshortëve, por edhe fëmijëve të ministreve.
Sipas këtyre deklaratave rezulton se bashkëshorti i ministres Eglantina Gjermeni, Marian Gjermeni punon si Drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë dhe paga e tij vjetore është 3.8 milionë lekë.
Ndërsa bashkëshorti i ministres Ermonela Felaj, Bledar Valika punon si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe paga e tij vjetore në vitin 2016 ka qenë 960 mijë lekë.
Bashkëshorti i ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, Ardian Gjoni ka deklaruar në 2016 të ardhura nga fitimi pas tatimit si person fizik 1.7 milionë lekë, ndërsa paga e tij ka qenë 301 mijë lekë.
Bashkëshorti i ish ministres së Arsimit Lindita Nikolla, Ligor Nikolla ka deklaruar për vitin e kaluar pagën neto si Dekan në shumën 1.2 milionë lekë. Ndërkohë që vajza e ish ministres, Livia Nikolla ka deklaruar pagën neto prej 886 mijë lekë si Specialiste në Departamentin e Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë.
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi në deklarimin vjetor ka përfshirë veç pagës së saj edhe të ardhurat nga paga të vajzës Abi Dodbiba në katër vende pune.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka deklaruar të ardhura nga paga të bashkëshortit, Lekë Kodheli në shumën 331 mijë lekë si dhe djali Mikel Kodheli për 2 muaj ka pasur një pagë 57 mijë lekë.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit gazetar, Aleksandër Furxhi në shumën 4.2 milionë lekë si dhe të ardhurat nga honorarët të vajzës në Bankën Botëore në shumën 81 mijë lekë.